Moti i ftohtë shkakton probleme me lëkurën, mjekët japin këshilla

Prishtinë | 25 Jan 2022 | 18:15 | Nga Ekonomia Online

Ekspozimi i lëkurës në temperatura të acarta shkakton problematika të shumta. Shpesh mjekët dermatologë gjatë stinës së dimrit vënë re acarim të lëkurës apo plasaritje të cilat mund të ndikojnë edhe në anën estetike.

“E gjithë stina e dimrit me uljen e temperaturave nuk mund të themi se i ndikon pozitivisht lëkurës. Moti i ftohtë dhe veçanërisht i thatë mund të dehidratojë dhe të largohet uji që lëkura ka të nevojshme. Sa më e ftohtë të jetë klima lëkura krijon tharje deri sa shkon në skuqje dhe në acarime”, ka thënë ajo.

Mjekja dermatologe e spitalit Amerikan 2, Amarda Gica ka disa këshilla për të mbrojtur lëkurën gjatë stinës së dimrit.

“Duhet që të përpiqemi të shmangim ekspozimin në të ftohtë duke u veshur sa më shumë duke përdorur kapuç në mënyrë që të ruajmë sa duhet dhe lagështinë e lëkurës. Në dimër mund të përdoren kremrat që janë më të trashë në përmbajtje”, ka thënë mjekja ndër të tjera.

Mjekët këshillojnë që gjatë këtyre ditëve të ftohta, në ambiente të mbyllura të ruhet një temperaturë jo shumë e lartë. Gjithashtu duhet evituar dushi i gjatë dhe me ujë të nxehtë.

Të ngjashme