Moti i keq shkakton devijimin e fluturimeve në Aeroportin e Tiranës, paralajmërohen vonesa

Prishtinë | 06 Jan 2026 | 17:59 | Nga Ekonomia Online

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjitikës në Shqipëri, Belinda Balluku, ka njoftuar se për shkak të motit të keq, dy avionë që duhet të uleshin në Aeroportin e Rinasit, janë devijuar drejt Barit.

Komentet Balluku i bëri përmes një postimi në faqen e saj në Facebook, duke sqaruar se devijimi u bë për shkak të pamundësisë për të vijuar uljen në mënyrë të sigurt.

Ajo po ashtu paralajmëron se edhe ditën e sotme mund të ketë vonesa në disa fluturime për shkak të kushteve atmosferike.

Sipas ministres, Albcontrol po ndjek situatën nga afër për të garantuar ofrimin e sigurt të shërbimeve të lundrimit ajror.

Njoftimi i Ballukut:

Gjatë 24 orëve të fundit, për shkak të fenomeneve meteorologjike mbi dhe në afërsi të Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës, dy nga fluturimet në ardhje të datës 5, në orët e mbrëmjes, kanë devijuar drejt Barit, për shkak të pamundësisë për të vijuar uljen në mënyrë të sigurt.

Edhe gjatë ditës së sotme kanë pasur fenomene meteorologjike të lokalizuara në zona në afërsi të aeroportit. Stafet e Albcontrol kanë akomoduar të gjitha kërkesat e pilotëve për të shmangur këto fenomene gjatë fazave të fluturimit. Për shkak të këtyre devijimeve të shkaktuara nga kushtet e motit, mund të ketë vonesa në fluturimet e sotme.

Albcontrol po e ndjek situatën nga afër për të garantuar ofrimin e sigurt të shërbimeve të lundrimit ajror.

Të ngjashme