Motra e zëvendëskryeministrit punësohet në Neonatologji, bordi mohon ndikimin

Prishtinë | 27 Pri 2022 | 20:44 | Nga Ekonomia Online

Hapja e Spitalit Pediatrik në QKUK rriti kërkesën për të shtuar numrin e mjekëve.

Kjo ishte edhe arsyeja pse për njërën nga klinikat, atë të Neonatologjisë, u desh të shpallej konkurs për punësimin e dy neonatologëve.

Kandidatet që aplikuan, Valbona Bislimi dhe Argjira Zeka-Bardhi, kanë kryer të gjitha procedurat e kërkuara dhe janë në prag të nënshkrimit të kontratës.

Për të parën e cila është motra e zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, ish-kryesuesja dhe tani anëtarja e bordit, Agreta Gecaj-Gashi, mohon se ka pasur ndikim nga njeriu i dytë i Qeverisë Kurti për të punësuar motrën e tij.

E njëjta shpjegon se nga mediat e kanë kuptuar se Valbona Bislimi është motra e zëvendëskryeministrit të Kosovës.

Bile, Gecaj-Gashi thekson se edhe numri i aplikueseve ka qenë i njëjtë me vendet e kërkuara, ndaj nuk ka pasur as ankesa.

Anëtarja e bordit të ShSKUK-së thotë se vetëm këto dy specialiste kanë qenë të papuna në Kosovë, derisa shton se ka mungesë të theksuar të këtij kuadri.

Ajo thekson se nevoja është e madhe për këta profesionistë në QKUK, por edhe në spitale rajonale.

Të ngjashme