Jose Mourinho është arsyetuar për humbjen që pësoi nga Juventusi në Old Trafford, duke thënë se kampioni italian kishte në përbërje dy prej mbrojtësve më të mirë në botë, Giorgio Chiellinin dhe Leonardo Bonuccin.
Manchester Unitedi me këtë humbje mbetet pesë pikë prapa Juves në grupin H dhe janë dy pikë para Valencias, ekip që për Mourinhon është rivalja e vërtetë i Unitedit.
“Luajtëm një prej kandidatëve për të fituar Ligën e Kampionëve dhe bëmë atë që mundëm”, ka thënë Mourinho.
“Mund të merrnim rezultat ndryshe sikur të luanim tërë lojën si në pjesën e dytë. Kjo nuk ndodhi sepse zotëri Bonucci dhe zotëri Chiellini mund të shkojnë në Universitetin e Harvardit dhe të ligjërojnë se si të jesh qendërmbrojtës. Ishin fantastikë”, ka thënë portugezi.
Mourinho përsëri u ankua në mungesën e transferimeve tek Unitedi, duke cituar ambicien e Juves në tregun e transferimeve si arsye që është favorit për tituj.
“Juventusi është kampion [i Italisë] për shtatë vjet me radhë. Ishin në dy finale të Ligës së Kampionëve në katër apo pesë vjetët e fundit dhe nuk ishin të lumtur me lojtarët që kishin, donin më shumë”, ka thënë ai.
“Kishin Higuainin, Manxhukiqin, Dybalan, por donin më tepër. E donin Ronaldon. Kishin Barzaglin, Chiellinin, Ruganin dhe nuk ishin të kënaqur, ata donin më shumë dhe e morën Bonuccin. Ata duan lojtarët më të mirë në botë”, ka shtuar portugezi.
“Si mund ta arrijmë këtë nivel? Nuk është e lehtë. Duhet të punojmë me atë që kemi. Tentojmë të përmirësohemi”, ka thënë në fund Mourinho.