Manchester United fitoi Europa Ligën pasi mposhti Ajaxin në finale, me rezultatin 2-0, duke i shtuar dhomës së trofeve, të vetmin trofe që i mungonte.
Trajneri Mourinho nuk e fshehu lumturinë e tij për këtë fitore të dyfishtë, pasi krahas trofeut, Manchester fitoi të drejtën e pjesëmarrjes në grupet e Champions League, në edicionin e ardhshëm.
“Jam shumë i lumtur. Ky ishte sezoni më i vështirë në karrierën time. Arritëm të fitojmë një trofe shumë të rëndësishëm dhe gjithashtu të rikthehemi në Champions League. Zhvilluam një ndeshje shumë të mirë, duke u treguar dukshëm më të fortë se kundërshtari”, u shpreh Mourinho.
Trajneri portugez vlerësoi edhe Wayne Rooney-n, të cilin pavarsisht se nuk e aktivizoi në finale, e cilësoi si një futbollist mjaft të përshtatshëm dhe të dobishëm për ekipin, duke i kërkuar të qëndrojë edhe në vijim me “djajtë e kuq”.
I pyetur për planet e merkatos, Mourinho u përgjigj: “Ed Woodward e ka listën time, çfarë dua dhe çfarë do të më pëlqente gjatë këtyre muajve të verës. Tani çdo gjë është në dorë të tij dhe të pronarëve. Këto dy muaj, nuk më bëhet vonë për futbollin. Jam me pushime!”