Mourinho kërkon nga Roma të apelojë kartonin e kuq të Pellegrinit

Prishtinë | 24 Sht 2021 | 11:25 | Nga Ekonomia Online

Jose Mourinho është shprehur i pakënaqur me referimin pas ndeshjes me Udinesen, për shkak të një kartoni të kuq që iu dha lojtarit kryesor të ekipit të tij, Lorenzo Pellegrinit.

Kjo edhe për faktin se në ndeshjen e ardhshme Romën e pret një derbi shumë i fortë me Lazion e Sarrit.

“Do të bëjmë gjithçka për ta pasur Pellegrinin në derbi. Ju thoni që kartoni i dytë i verdhë ishte i dyshimtë. Unë them që ishte qesharak. Nuk njoh mekanizmat ligjorë të futbollit italian në nivel ligjor, por do të doja t’i njihja që të përpiqem ta bëj atë të luajë”, ka thënë Special One.

Në anën tjetër ai është shprehur shumë i kënaqur me lojën e ekipit të tij.

“Luajtëm 35 minutat më të mira të këtij kampionati, kundër një skuadre të mirëorganizuar në mbrojtje. Është e vërtetë që shënuam vetëm një herë, por në tërësi patëm kontrollin e lojës. Patjetër që erdhi reagimi i Udineses në pjesën e dytë, por ne luajtëm gjithmonë si skuadër, sidomos në momentet më të vështira, duke mbyllur hapësirat dhe me një mbajtje të mirë të topit.”

Ai duket i kënaqur me ekipin në tërësi, si dhe thekson pikat e dobëta ku duhet punë:

“Në radhë të parë na mungon koha. Aktualisht, së bashku me personat e mrekullueshëm me të cilët punoj, jam i fokusuar në rritjen e ekipit, organizimin e tij dhe ruajtjen në nivel mendor. Ne duhet të punojmë shumë dhe do t’na duhet kohë, si dhe diçka më shumë, të cilën do t’na e sjellë koha.”

Mourinho ka një vlerësim edhe për drejtuesit:

“Jo vetëm ekipit futbollistik, por edhe menaxhmentit do t’i duhet kohë,. Ata nuk kujdesen vetëm për të tashmen, por edhe për të ardhmen. Prioriteti është mbështetja e klubit.”

Në fund një fjalë për tifozët:

Tifozët sot e mbështetën ekipin dhe unë jam i kënaqur për këtë. Është e rëndësishme që ata të jenë me ne, t’na mbështesin, veçanërisht në humbje. Ne duhet të vazhdojmë punën tonë me qetësi.”

Të ngjashme