Mourinho: Mendoj se Lampard nuk dëshiron të flasë me mua

Prishtinë | 26 Jan 2021 | 11:20 | Nga Ekonomia Online

Trajneri i Tottenhamit, Jose Mourinho, nuk beson se ai duhet t’i shkruajë Frank Lampardit për ta ngushëlluar për shkarkimin nga posti i trajnerit të Chelseat, duke thënë se ish-mesfushori i tij nuk ka dëshirë të dëgjojë nga ai.

Legjenda e të kaltërve Lampard u shkarkua nga posti i trajnerit të Chelseat të hënën, 18 muaj pasi u emërua pas vendimit të klubit për t’i ndarë rrugët me Maurizio Sarrin.

Pavarësisht statutit të legjendës së klubit dhe golashënuesit më të mirë në historinë e klubit, Lampard nuk ishte imun ndaj stilit emëro-shkarko të pronarit Roman Abramovich.

Chelsea ishte lider i Premierligës në fillim të sezonit, por një ecuri e rezultateve të dobëta bëri që të bjerë në pozitën e nëntë dhe kjo e pati për pasojë shkarkimin e Lampardit.

Duke folur pas fitores së Tottenhamit kundër Wycombe në FA Cup, e cila erdhi pak orë pas shkarkimit të Lampardit, Mourinho u pyet për ish-lojtarin e tij.

Lampard kishte luajtur nën urdhrat e Mourinho në Chelsea nga viti 2004 deri në vitin 2007 dhe pastaj përsëri në vitin 2013, duke i fituar dy tituj në Premierligë, dy trofe në Kupën e Ligës dhe një FA Cup.

“Nuk mendoj se Lampard dëshiron të flasë me mua apo me ndonjë njëri tjetër, përveç rrethit të afërm familjar dhe miqve”, tha Mourinho.

“Por unë gjithmonë trishtohem kur një koleg e humb punën dhe Frank nuk është thjesht koleg. Ai është person i rëndësishëm në karrierën time, prandaj më vjen keq që ai e humbi punën”, shtoi ai.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme