Jose Mourinho kishte mundësinë të përfundonte stinorin që i ka kaluar në hije të Pep Guardiolas, me një triumf në finale të FA Cup të shtunën. Por Mourinho ka mbetur duke shpjeguar paraqitjen dëshpëruese të skuadrës dhe pritet të ketë edhe më tepër kritika nga adhuruesit e Manchester Unitedit.
Favorit ndaj Chelseat që përfundoi i pesti në Premier League, Manchester Unitedi nisi të sulmonte vetëm kur ishte tepër vonë dhe pësoi 1:0 në finalen në Wembley, shkruan Reuters, transmeton “Koha Ditore”.
Ndonëse Mourinho u desh të startonte pa sulmuesin Romelu Lukaku, pasi ishte deklaruar se nuk është qind për qind, United prapë kishte në përbërje dyshen angleze Jesse Lingard dhe Marcus Rashford, më pas Alexis Sanchezin si dhe transferimin rekord Paul Pogba.
Mirëpo, për 45 minuta, ata ishin një forcë ofensive e padukshme.
Unitedi nuk arriti të bënte asnjë gjuajtje në drejtim të portës në pjesën e parë dhe ndonëse sulmoi furishëm në pjesën e dytë, Chelsea arriti të mbante fitoren e merituar.
Mourinho ka shijuar vetëm humbjen e tretë të tij në 15 finale të kupave si trajner në Portugali, Angli, Itali dhe Spanjë, ndërsa Manchester Unitedi ka përfunduar pa trofe për herë të tretë në pesë stinorët që kur Alex Ferguson është pensionuar.