Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës nuk ka hapur ende një tender për targat e makinave me regjistrim të Kosovës, që do të mundësonte fillimin e zbatimit të marrëveshjes së arritur në Bruksel për qarkullimin e lirë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Kjo është përgjigja e Ministrisë përmes postës elektronike për Radion Evropa e Lirë, megjithëse nuk ka specifikuar arsyet apo ngecjet e procesit të pajisjes së makinave me letrat ngjitëse që do të hiqte përdorimin e targave “prova” nga qarkullimi.
Nuk ka ende një afat kohor se kur do të mund të fillojë së zbatuari marrëveshja për reciprocitet të plotë për targat e veturave ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Zbatimi i kësaj marrëveshjeje nënkupton heqjen nga përdorimi i tabelave “prova” të cilat njëanshëm janë zbatuar nga pala serbe që nga viti 2011.
Kështu ka thënë për Radion Evropa e Lirë, ministrja për Dialog, Edita Tahiri, sipas së cilës, më 15 nëntor ka kaluar afati për zbatimin e marrëveshjes reciproke, por këto zvarritje sipas saj, po ndodhin për shkak të vonesave administrative të institucioneve të Kosovës
“Vonesat janë nga ana jonë, për shkak se ende po vazhdojnë procedurat administrative që lidhen më prodhimin e letrës ngjitëse. Pra, janë procedurat tenderuese e të tjera. Secili që punon në administratën publike e di se sa marrin kohë. Pra, për shkak të vonesave administrative nga pala e Kosovës ende nuk ka filluar zbatimi, kurse pala serbe është gati“.
Në momentin kur autoritetet kompetente t’i përfundojnë këto procedura, Qeveria e Kosovës, thotë Tahiri do ta njoftojë Bashkimin Evropian dhe pastaj do të caktohet një datë për fillimin e zbatimit të marrëveshjes.
Ndërkohë, Arton Demhasaj, nga Organizata joqeveritare “Çohu”, për Radion Evropa e Lirë, ka thënë se kjo është papërgjegjësi politike dhe administrative e Ministrisë se Punëve të Brendshme.
“Kjo është përgjegjësi e ministrisë në këtë aspekt, për shkak se Ministria e Punëve të Brendshme po dështon në proceset tenderuese që kanë të bëjnë me targat. Deri tash kemi parë qe Ministria ka dështuar disa herë për të dhënë tenderin për targat brenda vendit, kurse tashmë është hera e dytë që po dështon edhe për letrat ngjitëse që duhet të jepen për targat për zbatim të marrëveshjes që është arritur në mes Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Demhasaj.
Prishtina dhe Beogradi, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian në Bruksel, në muajin shtator kanë arritur marrëveshje për reciprocitet të plotë për targat e veturave në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë.
Kjo marrëveshje do të kontribuojë për lehtësimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve dhe automjeteve.