Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Valdet Hoxha, i shoqëruar nga një delegacion nga Republika e Kosovës, qëndruan në Mbretërinë e Bashkuar.
Kjo vizitë u realizua me qëllim të njohjes nga afër me praktikat më të mira të funksionimit të forcave të sigurisë kufitare në Mbretërinë e Bashkuar si dhe identifikimin e metodave efektive në luftë kundër krimit të organizuar, krimit ndërkufitar, krimit trans nacional si dhe terrorizmit.
Delegacioni gjithashtu vizitoi Qendrën Nacionale të Inteligjencës së Forcës Kufitare me seli në qytetin Dover, Qendrën Kombëtare Koordinuese në Ipsuiç, Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave në Londër, ku u njoftuan për mënyrën e pranimit dhe trajtimit të informatave inteligjente nga këto mekanizma të zbatimit të ligjit.
Të dy palët u dakorduan për vazhdimin e komunikimit të ngushtë profesional, në shkëmbimin e përvojave, në shërbim të ngritjes së kapaciteteve të Qendrës Kombëtare për Menaxhimin e Kufirit, e cila operon në kuadër të MPB-së.
Kjo vizitë është organizuar dhe financuar nga Ambasada Amerikane në Kosovë, në kuadër të Programit të Kontrollit të Eksporteve dhe Sigurisë Kufitare (EXBS), si dhe në partneritet me EULEX-in dhe Doganat e Mbretërisë së Bashkuar.