Në Ministrinë e Punëve të Brendshme u mbajt takimi i dytë për prezantimin e Udhërrëfyesit për gjetjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme për posedimin e paligjshëm, keqpërdorimin dhe trafikimin e armëve të vogla dhe të lehta (AVL)në Ballkanin Perëndimor, brenda vitit 2025.Në këtë takim morën pjesë përfaqësues diplomatikë të akredituar në Kosovë, si dhe pjesëtarë të shoqërisë civile. Takimin e hapi Koordinatori Kombëtar për Armë të Vogla dhe Lehta, njëherazi zëvendësministër i Punëve të Brendshme, Izmi Zeka.
Në këtë takim, zëvendësministri Zeka, vuri në dukje se për përmbushjen e plotë të objektivave që dalin nga Strategjia e AVL-së, por edhe nga Udhërrëfyesi,për në të ardhmen do të na duhet përkrahja e vazhdueshme e partnerëve tanë,siç janë: SEESAC, UNDP etj..
“Ne synojmë që përmes projekteve konkrete të vazhdojmë të marrim përkrahjen e mëtejme në drejtim të realizimit të qëllimeve të përbashkëta, kontrollin e AVL-së dhe minimizimin e rrezikut për qytetarët tanë nga përdorimi i armëve, respektivisht krijimin e ambientit të sigurt për qytetarët tanë”, theksoi zëvendësministri Zeka.
Duke folur për raportin e fundit të progresit, zëvendësministri Zeka, tha se të arriturat e Kosovës vlerësohen. Sa i përket trafikimit të armëve, Kosova ka miratuar dhe po zbaton Strategjinë e saj për armët e vogla, armët e lehta dhe kontrollin e eksplozivit 2017 -2021.
“Ministria e Punëve të Brendshme ka një bazë të dhënash në të cilën regjistron të gjitha armët e importuara në Kosovë, me ç ‘rast, shënohen menjëherë pas mbërritjes. Ligji për legalizimin e armëve dhe dorëzimin e armëve të vogla dhe të lehta, municioneve dhe materialeve shpërthyese u miratua në mars të 2017-së.”, tha zëvendësministri Zeka.
Ai tha se Kosova po merr pjesë në zbatimin e Planit të Veprimit për trafikimin e paligjshëm të armëve të zjarrit në mes të BE-së dhe rajonit të Evropës Juglindore ( 2015-2019), dhe se vendi ynë është përmirësuar ndjeshëm në luftën kundër trafikimit të armëve të zjarrit, jo vetëm nëpërmjet hetimeve normale, por edhe përmes punës së balistikes.