MPJD: Autobusët dhe kamionët kosovarë s’po mund të kalojnë në Serbi, të pasigurta edhe veturat

Prishtinë | 19 Qer 2023 | 22:31 | Nga Ekonomia Online

Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës (MPJD), përmes një komunikate për media ka konfirmuar se serbët me automjetet e tyre kanë bllokuar rrugën magjistrale në pjesën e Serbisë, konkretisht pas pikës kufitare në Jarinje dhe në Merdare, duke pamundësuar kështu futjen e kamionëve, autobusëve dhe veturave thellë brenda territorit të Serbisë.

“Ju njofton se në territorin e Serbisë, në afërsi të pikave kufitare në Jarinjë dhe në Merdare, për shkak të protestave që po mbahen, nuk është i mundur kalimi i autobusëve dhe kamionëve që vijnë nga Kosova. Nuk është i sigurt për momentin as kalimi i veturave”, thuhet në njoftimin e shkurtër të MPJ-së.

Në disa video amatore të cilat po qarkullojnë në rrjetet sociale shihet se një numër i konsiderueshëm i kamionëve nga Kosova kanë mbetur të ngujuar si pasojë e bllokimit të rrugës nga serbët.

Ndërsa mediumi i afërt me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, Pink.rs, po raporton se drejtuesit e kamionëve me targa të Serbisë, të cilët prej disa ditësh kanë mbetur të bllokuar në pikë kalimet kufitare në mes të Kosovës dhe Serbisë, kanë vendosur që të bllokojnë rrugën Mitrovicë – Rashkë.

Sipas, Pink.rs, shoferët e kamionëve po lejojnë hyrjen e automjeteve dhe autobusëve nga Kosova, por jo edhe kamionët kjo si shenjë reciprociteti ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës e cila vendosi t’i shtrëngoi kontrollet kufitare me Serbinë duke kufizuar qarkullimin dhe duke shtuar kontrollet e automjeteve që vinë nga Serbia sidomos ato transportuese.

Sipas raportimeve të mediave serbe rreth 30 drejtues të kamionëve nga Kurshumlia kanë bllokuar edhe autostradën Nish-Prishtinë më saktësisht në fshatin Rudarë, raporton Albanian Post.

Ky vendim, sipas disa nga drejtuesit e kamionëve, është edhe një shenjë solidarizimi me serbët nga Kosova.

Bllokimi i rrugëve, sipas mediave serbe ka nisur rreth orës 18:30.

Të ngjashme