MPJ e Kosovës konfirmon që janë në kontakt me shtetin Spanjës, s’komentojnë punën e Zyrës Tregtare
Spanja vazhdon të mbajë të pandryshueshëm pozicionin ndaj pavarësisë së Republikës së Kosovës. Megjithatë kontakte në mes të Prishtinës dhe Madridit zyrtar ekzistojnë. Një gjë të tillë e kanë konfirmuar nga Zyra për Media e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës
Një gjë të tillë e kanë potencuar të pyetur rreth paralajmërimeve për hapjen e një Zyre Tregtare dhe Kulturore të Spanjës në Kosovë, megjithatë për një proces të tillë s’kanë pranuar të japin detaje, njëjtë sikurse Madridi zyrtare.
“Po, kontaktet ekzistojnë. MPJD nuk i komenton proceset e kësaj natyre asnjëherë”, kanë thënë nga Zyra për Media e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës.
Se kontaktet ekzistojnë pavarësisht qëndrimit të Madridit për pavarësinë e Kosovës e kanë thënë edhe nga Spanja.
Në një përgjigje të dhënë nga Zyra për Informim e Diplomacisë Spanjolle, kanë thënë se janë të vetëdijshëm për rëndësinë e mbajtjes së raporteve me Kosovën dhe Serbinë, shkruan gazeta Express.
“Në çfarëdo rasti, qasja jonë është shumë konstruktive; dhe, të vetëdijshëm për rëndësinë e mbajtjes së kontakteve me të dyja palët, kërkohet që ata ta pranojnë pashmangshmërinë e një marrëveshjeje që e respekton ligjin ndërkombëtar, edhe me detyrat e vështira që kjo do t’i përfshijë”, ka theksuar Patricia Tortosa nga Zyra për Informim e Diplomacisë Spanjolle.
Spanja është një nga pesë shtetet anëtare të Bashkimit Evropian që vazhdon të mos e njohë Kosovën si shtet. Lëvizje të qëndrimit karshi pavarësisë së Kosovës janë paralajmëruar edhe nga Greqia. Megjithatë ende s’ka ndonjë lëvizje konkrete.