Festivali “Dokufest” ka mbledhur të gjithë në Prizren. Në ditët e para, në qytetin perëndimor të Kosovës ka qëndruar si vizitor dhe për të ofruar përkrahjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme (MPJ), edhe ministri Enver Hoxhaj.
Ai ka takuar udhëheqësit e Festivalit të filmit dokumentar dhe të shkurtër “Dokufest” në Prizren.
Në takim me drejtoreshën e festivalit, Nita Deda; drejtorin ekzekutiv, Eroll Bilibani dhe drejtorin artistik, Veton Nurkollari; ministri Hoxhaj ka premtuar se në kuadër të traditës së Ministrisë përkrahja do të vazhdojë për festivalin. Ai iu ka komunikuar edhe zyrtarisht drejtuesve se Ministria e Jashtme edhe këtë vit e mbështet financiarisht “Dokufestin”.
“Duke e ditur rëndësinë që ka ky festival, përmes të cilit Kosova prezanton artin dhe kulturën e saj para botës dhe shumë artistëve të huaj që janë pjesëmarrës në të e të cilët kanë mundësinë të shohin një Kosovë ndryshe, MPJ tash ka vendosur ta përkrahë edhe këtë vit financiarisht ‘Dokufestin’ dhe të përcjellë mesazhin se Kosova është shtet i hapur për njohje më të madhe ndërmjet popujve përmes kulturës”, ka deklaruar ministri Hoxhaj.