Ministria e Punëve të Jashtme është zotuar të paguajë së paku 40 mijë euro për shërbime të një Akademie me bazë në Britani të Madhe, në krye të së cilës janë dy kosovarë: Nora Weller, drejtoreshë themeluese, dhe Gëzim Visoka, drejtues i kërkimeve.
Marrëdhënia kontraktuale është lidhur më 24 gusht, nëpërmjet një Memorandumi mirëkuptimi, në të cilin për Ministrinë ka firmosur drejtori i përgjithshëm, Albert Prenkaj, ndërsa Nora Weller për “Cambridge Academy of Global Affairs” (CAMGA) , shkruan sot “Koha Ditore”.
Mbështetur në dokumentacionin që e ka siguruar gazeta, qëllimi i Memorandumi është që CAMGA të ofrojë këshilla profesionale dhe ndihmë në katër fusha, nëpërmjet të cilave mund të rrisë përpjekjet e MPJ-së për të siguruar njohje diplomatike.
Përpos që parashihet të ofrohen këshilla të ekspertëve për çështjet e politikës së jashtme, është planifikuar të hartohet edhe një dokument, nëpërmjet të cilit synohet rritja e argumenteve ligjore dhe politike në favor të njohjes diplomatike të Kosovës.