Kryeministri Albin Kurti bashkë me zëvendësen e tij Donika Gërvalla janë takuar me ministrin e Jashtëm grek, Nikos Dendias. Kurti dje ka kërkuar njohjen e pavarësisë së Kosovës nga shteti grek, duke thënë se tani është koha e duhur që të ndodhë kjo.
Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës ka njoftuar për takimin mes tre liderëve dhe dha detajet e bisedës.
“Bashkë me kryeministrin Albin Kurti ne patëm një takim të shkëlqyer me ministrin e Jashtëm të Greqisë, Nikos Dendias, në kuadër të Forumit Ekonomik Delphi. Folëm për bashkëpunim ekonomik dhe nevojën për të zgjeruar bashkëpunimin në shumë fusha në mes Kosovës dhe Greqisë”, thuhet në njoftimin në Twitter.
Për këtë takim, me njoftim doli edhe MPJ e Greqisë.
“Takimi në margjina e Forumit Ekonomik Delphi mes Ministrit të Punëve të Jashtme, Nikos Dendias, kryeministrit kosovar Albin Kurti dhe Ministres së Jashmte Donika Gërvalla. Diskutime në bashkëpunimin ekonomik dhe zhvillimet në dialogun Prishtinë-Beograd”, thuhet në njoftimin e MPJ-së greke.
Në fjalimin e tij në këtë forum, të premten Kurti tha se njohja e Greqisë do mund t’i sillte Kosovës edhe njohje të reja nga vendet e tjera
“Ne kemi komunikim dhe bashkëpunim të mirë me Greqinë, mes njerëzve të Kosovës dhe Greqisë, mes të dyja qeverive. Është vetëm një urë që duhet ta kalojmë. Është koha e duhur që Greqia ta njohë Kosovën. Para kësaj dhe veçanërisht pas njohjes, ne mund të rrisim bashkëpunimin ekonomik dhe shkëmbimin tregtar. Mendoj se Greqia është lidere regjionale dhe mund ta ndihmojë Kosovë të marrë njohje të reja”, ka thënë Kurti.