Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), përmes Inspektoratit të Punës (IP), në vazhdën e angazhimeve dhe masave të ndërmarra për rritjen e sigurisë dhe shëndetit në punë, ka hartuar Planin Operativ për ngritjen e masave të sigurisë në vendet e punës, me theks në sektorin e ndërtimtarisë.
Përgjatë dy javëve, në komunën e Prishtinës, ku është më i përqendruar sektori i ndërtimtarisë, gjatë inspektimit të rreth 160 vendpunishteve janë shqiptuar 14 gjoba (ato subjekte të cilat nuk i kanë zbatuar vendimet e inspektorëve nga inspektimet e mëherëshme), dhe janë ndërprerë punimet me masën e pezullimit të përkohshëm në 11 subjekte.
Pas vizitave dhe analizave të planit operativ të zhvilluar përgjatë dy javëve të kaluara, MPMS dhe IP kanë konstatuar se këto masa nuk kanë rezultuar të mjaftueshme në ngritjen e masave të sigurisë, gjithmonë në funksion të zbatimit të legjislacionit në fuqi.
Duke pasur parasysh rastet e aksidenteve, lëndimeve dhe atyre me fatailitet, me kërkesë të ministrit të MPMS-së, Skender Reçica për zbatim të pakompromis të legjislacionit në fuqi, inspektorati i Punës nga dje ka vazhduar riinspektimet në këtë sektor, duke kërkuar nga subjektet zbatimin e plotë të masave të sigurisë (skelet) dhe pajisjet personale mbrojtëse, meqë rast është pezulluar puna përkohësisht në mbi 30 vendpunishte të ndërtimit.
Qëllimi i vetëm i aktivitetit të përqëndruar në sektorin e ndërtimtarisë, është rritja e masave të sigurisë, me qëllim të mbrojtjes së shëndetit dhe jetëve të punëtorëve.
Për informim të qytetarëve dhe subjekteve që për veprimtari kanë sektorin e ndërtimit, ju njoftojmë se pezullimet e përkohëshme të punës në vendpunishte nuk janë shoqëruar me gjoba. Subjekteve u është dhënë vendimi për pezullim të punëve deri në plotësimin e masave të sigurisë, gjoba pason në rastet kur shkelet ky vendim nga subjektet.
MPMS dhe IP u bëjnë thirrje të gjithë punëdhënësve që të respektojnë masat e përcaktuara me legjislacion rreth sigurisë dhe shëndetit të punëtorëve në vendin e punës dhe njëherë të gjithë punëtorëve që të raportojnë rastet kur të drejtat e tyre nuk respektohen dhe shkilen nga punëdhënësit. MPMS do të jetë e pakompromis në zbatimin e legjislacionit në fuqi.