Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS) dhe Organizata Gjermane “Arbeiter-Samariter-Bund (ASB)” nënshkruan Memorandumin e Bashkëpunimit në kuadër të implementimit të projektit, “Iniciativa për Dimension Social të Integrimit Evropian” për Ballkanin Perëndimor.
Marrëveshja u nënshkrua nga Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica dhe drejtori i ASB-së për Evropën Juglindore, Emir Bojadziç.
Qëllimi i këtij memorandumi është avancimi i sistemit të mbrojtjes sociale dhe ngritja e kapaciteteve të qeverive lokale, si dhe përkrahja e grupeve të ndryshme sociale, nëpërmjet implementimit të projektit “Iniciativat për Dimension Social”.
Bojadziç falënderoi ministrin Reçica për gatishmërinë për bashkëpunim të vazhdueshëm ku tashmë ASB dhe MPMS veçse kanë nënshkruar një marrëveshje gjatë muajit mars të këtij vit për stabilitet socio-ekonomik të komuniteteve etnike pakicë dhe shumicë.
Ministri Reçica shprehi gatishmërinë e plotë të tij dhe të MPMS-së për të bashkëpunuar me organizatën ASB, me qëllim të përmirësimit të mirëqenies sociale të qytetarëve të Kosovës dhe në kuadër të kësaj falënderoi z.Bojadziç për përkrahjen që organizata po i jep Kosovës në këtë pikë.
Reçica tha se MPMS do të përbush të gjitha obligimet e nevojshme në bazë të memorandumit të nënshkruar që kanë të bëjnë me selektimin e disa komunave që ballafaqohen me probleme më të mëdha në fushën sociale ku do të implementohen projektet e ASB-së.