Thaçi e Kurti nuk arrijnë marrëveshje për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme

Prishtinë | 22 Mar 2020 | 17:51 | Nga Ekonomia Online

Nuk ka marrëveshje e as dakordim në parim në mes presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe kryeministrit Albin Kurti rreth shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme si masë për të përballuar situatën e krijuar me Covid-19.

Përderisa presidenti Hashim Thaçi, insiston se duhet të shpallet gjendje e jashtzakonshme, një gjë të tillë nuk e mbështetë kryeministri Albin Kurti.

Qeveria e Kosovës thotë se insitucionet e vendit janë duke menaxhuar mirë dhe plotësisht gjendjen e krijuar pas përhapjes se koronavirusit edhe në Kosovë.

Sipas zyrtarëve të Qeverisë, ende nuk janë shterrur të gjitha mundësitë për tu përballur me rrethanat aktuale.

Erzen Vraniqi, këshilltar politik i kyreministit Albin Kurti tha për Radion Evropa e Lirë, se rrethanat për gjendje të jashtezakonshme janë vetëm atëherë kur janë shterrur të gjitha potencialet dhe institucionet nuk mund të përballen me situatën e krijuar.

“Deri më tash institucionet po menaxhojnë plotësisht me situatën. Potenciali edhe njerezor, edhe spitalor, edhe i sigurisë, edhe i furnizimeve me prodhimet kryesore, qoftë ushqimore, qoftë higjienike është në nivel të kënaqshëm”, tha Vraniqi.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi tha të dielën se institucionet e shtetit duhet të jenë të gatshme për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme pas vdekjes së personit të parë nga koronavirusi i ri.

“Ne duhet t’i ndihmojmë mjekët, duke qëndruar të mbyllur në shtëpitë tona dhe duke i zvogëluar mundësitë e përhapjes më të madhe të këtij virusi. Institucionet e shtetit duhet të jenë të gatshme, që në rast nevoje të shpallet menjëherë Gjendja e Jashtëzakonshme. Duke punuar së bashku do ta tejkalojmë edhe këtë sfidë”, ka shkruar Thaçi në Facebook.

Edhe më herët Qeveria e Kosovës ka thënë se do të shqyrtojë situatën nëse në një periudhë të caktuar mund të krijohen rrethanat për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme.

Ministri i Shëndetësisë i Kosovës, Arben Vitia, kërkoi nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, që t’i propozojë Qeverisë masa shtesë kundër koronavirusit, me qëllim të mbrojtjes së shëndetit publik, por nuk ka përmendur masat e jashtëzakonshme.

“Këto masa do të diskutohen sot edhe me ministritë e linjave dhe do paraqiten në mbledhjen e Qeverisë. Të gjitha këto masa do të shpjegohen saktë për qytetarët pasi të kenë marrë miratimin”, tha Vitia në një postim në Facebook.

Por, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, partia e të cilit është në koaliconin qeverisës me Lëvizjen Vetëvendosje, konsideron se 

Kosova duhet të shpallë gjendjen e jashtzakonshme. Ai ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje në koalicionin qeverisës po tregohet e papërgjegjshme, duke shtuar se ai do të ishte i lumtur në qoftëse do të aktivizoheshin të gjitha potencialet për t’u përballë me rrezikun që po e kanosë jo vetëm Kosovën, por mbarë botën.

“Vendet fqinje po aplikojnë të gjitha masat, përfshirë gjendjen e jashtëzakonshme dhe orën policore. Para pesë ditësh edhe unë dhashë idenë për aplikimin e masave të jashtëzakonshme, sepse isha dhe jam i bindur se askënd s’duhet ta pengoj që të gjithë ta bëjnë punën e vet në këtë situatë. Se nuk është koha ti masim muskujt, se kush është më i forti, por të bashkojmë muskujt, të krijojmë sinergji, ku 1+1 bëjnë 3”, ka shkruar Mustafa në Facebook.

Për shkak të mospajtimeve të thella mes LDK-së dhe LVV-së, partia e Mustaës, LDK-ja, tashmë ka iniciuar mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë dhe po shqyrton formën se si mund të mblidhet Kuvendi në këso rrethana të pandemicë së COVID-19, për ta shkakruar qeverinë e kryeministrit Kurti.

Ndërkohë, analisti Albert Krasniqi, konsideron se institucionet në Kosovë duhet të jenë shumë të kujdesshme në vlerësimin e situatës së krijuar nga pandemia dhe të kenë parasysh kapacitetet e dobëta shëndetësore edhe financiare të cilat i ka Kosova si shtet për t’u përballuar me këtë sfidë globale

Krasniqi thekson po ashtu se presidenti Thaçi dhe kryeministri Kurti, duhet të tregohen më të përgjegjshëm karshi situatës.

“Më shumë sesa kërkesa e presidentit dhe refuzimi i kryeministrit peshë në marrjen e vendimit duhet të kenë institucionet shëndetësore dhe ato të sigurisë. Në anën tjetër, qytetarëve duhet qartësuar se cilat janë avantazhet nga shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme, të cilat nuk i kemi gjatë gjendjes emergjencës shëndetësore, pasi të drejtat e tyre themelore do të kufizohen”, u shpreh Krasniqi.

Ai tha se presidenti Thaçi dhe kryeministri Kurti duhet të tregohen më të përgjegjshëm karshi situatës dhe për një moment ta lënë anash rivalitetin e tyre politik, pasi që sipas tij, provokimi i krizave politike në këtë periudhë është i patolerueshëm.

Qeveria e Kosovës, ditë më parë, ka shpallur gjendje emergjente për shëndetin publik. Rastet e para me koronavirus në Kosovë janë konfirmuar më 13 mars. Deri më tash janë 31 persona të prekur , ndërsa një pacient ka humbur jetën.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme