Vendimi i Supremes për konfiskimin e patent shoferëve, Policia e Kosovës del me sqarime shtesë

Prishtinë | 03 Nën 2026 | 11:18 | Nga Ekonomia Online

Policia e Kosovës ka njoftuar se do t’i ndërmarrë veprimet e nevojshme për kthimin e patentë-shoferëve të cilët janë marrë përkohësisht nga policia dhe për të cilët ka kaluar afati ligjor i mbajtjes, pas aktgjykimit të Gjykatës Supreme, e cila e ka shpallur të paligjshëm dhe e ka shfuqizuar një paragraf të Udhëzimit Administrativ për Procedurat e Kundërvajtjes.

Në një sqarim të publikuar sot, Policia ka bërë të ditur se aktgjykimin e Supremes e ka pranuar dje.

“Policia e Kosovës njofton opinionin publik se më datën 2 nëntor 2026 ka pranuar Aktgjykimin e Gjykatës Supreme të Kosovës P. A. nr. 29/2026, të datës 20 tetor 2026, me të cilin është shpallur i paligjshëm dhe është shfuqizuar paragrafi 3 i nenit 17 të Udhëzimit Administrativ (MPB) Nr. 05/2023 për Procedurat e Kundërvajtjes”, thuhet në njoftim.

Policia tha se vendimi i Gjykatës Supreme nuk e ndryshon mundësinë e shqiptimit të masës mbrojtëse të ndalimit të drejtimit të automjetit dhe as nuk i shfuqizon masat e shqiptuara më parë.

“Policia, sqaron se ky aktgjykim nuk e ndryshon mundësinë e shqiptimit të masës mbrojtëse të ndalimit të drejtimit të mjetit me veprim motorik dhe nuk i shfuqizon masat mbrojtëse të shqiptuara më parë. Të gjitha këto masa vazhdojnë të jenë të vlefshme dhe të zbatueshme sipas afatit për të cilin janë shqiptuar”, thuhet tutje.

Sipas Policisë, ndryshimi ka të bëjë vetëm me mbajtjen fizike të patentë-shoferëve, e cila nuk mund të zgjasë më shumë se tetë ditë.

“Ndryshimi ka të bëjë vetëm me mbajtjen fizike të patentave të shoferëve nga Policia, e cila, sipas nenit 244 të Ligjit për Rregullat e Trafikut Rrugor dhe Vendimit të Gjykatës Supreme, nuk mund të zgjasë më shumë se tetë (8 ditë”, thuhet në sqarim.

Policia tha se do të veprojë për kthimin e patentë-shoferëve të marrë më herët, në rastet kur ka kaluar afati ligjor i mbajtjes së tyre.

“Në këtë drejtim, Policia e Kosovës do të ndërmarrë veprimet e nevojshme për kthimin e patentave të shoferëve, të marrë më herët përkohësisht, për të cilët ka kaluar afati ligjor i mbajtjes, në përputhje me Vendimin e Gjykatës Supreme”, thuhet në njoftim.

Megjithatë, kthimi fizik i patentë-shoferit nuk nënkupton se shoferi mund të drejtojë automjetin nëse ndaj tij vazhdon të jetë në fuqi masa mbrojtëse e ndalimit të drejtimit.

“Policia thekson se kthimi fizik i patentave të shoferëve nuk nënkupton se personi ka të drejtë ta drejtojë automjetin gjatë kohëzgjatjes së masës mbrojtëse. Personat ndaj të cilëve është shqiptuar masa e ndalimit të drejtimit vazhdojnë ta kenë të ndaluar drejtimin e automjetit deri në përfundimin e saj”, thuhet më tej.

Policia rikujtoi edhe ndëshkimet që parashihen për personat që drejtojnë automjetin gjatë kohës sa e kanë në fuqi masën mbrojtëse.

“Gjithashtu, Policia e Kosovës rikujton se drejtimi i automjetit gjatë kohëzgjatjes së masës mbrojtëse përbën kundërvajtje për të cilën ligji parasheh gjobë prej 500 eurosh, ndalim të drejtimit për gjashtë (6) muaj, pesë (5) pikë negative, si dhe konfiskimin e përkohshëm të automjetit, sipas nenit 246 të Ligjit për Rregullat e Trafikut Rrugor”.

Në fund, Policia bëri të ditur se do të vazhdojë kontrollet në trafik dhe verifikimin e masave mbrojtëse dhe kufizimeve të tjera ligjore.

“Policia e Kosovës do të vazhdojë kontrollet në trafikun rrugor dhe verifikimin e masave mbrojtëse, pikëve negative dhe kufizimeve të tjera ligjore përmes evidencave përkatëse, me qëllim të garantimit të sigurisë në trafikun rrugor”.

Të ngjashme