Ministria e Shëndetësisë ka lansuar katër udhërrëfyesit e parë klinikë, të cilët kanë të bëjnë me menaxhimin e preeklampsisë së rëndë dhe eklampsisë; skrinimin dhe trajtimin e lezioneve prekanceroze të qafës së mitrës; parandalimin dhe menaxhimin e hemorragjisë primare postparatale; shërbimet e HIV testimit.
Ata përmbajnë statistika për fushat e caktuara, këshilla dhe rekomandime për pacientët.
Me këtë rast, zëvendësministri i Shëndetësisë, Rrustem Musa, tha se sot është ditë pozitive për shëndetësinë kosovare, derisa shtoi se kanë shtyrë përpara hartimin e udhërrëfyesve klinikë, raporton Ekonomia Online.
“Sot po lansojmë 4 nga 8 udhërrëfyesit sa kemi hartuar deri më tani. Fuqizimi i mëtejmë i kapaciteteve është nevojë e domosdoshme për të kontribuar në hartimin e rrëfyesve adekuatë. Janë hartuar edhe materiale të tjera të nevojshme për ta siguruar zbatimin e të gjitha hallkave të procesit”.
Ky proces, sipas Musës, është në fillim dhe tani duhet të vazhdojë në përdorimin praktik të udhërrëfyesve nga punëtorët shëndetësorë.
Drejtoresha e Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Popullatën (UNFPA), Doina Bologa, vlerësoi se udhërrëfyesit do t’u ndihmojnë pacientëve dhe sistemit shëndetësor.
“Udhërrëfyesit janë bërë pjesë integrale e sistemit shëndetësor dhe konsiderohen mjete esenciale për ta përmirësuar kujdesin ne sistemin primar, sekondar dhe terciar”.
“Principi kryesor për udhërrëfyesit e bazuar në evidencë është që të avancojë përkujdesjen klinike në të mirë të pacientëve. Udhërrëfyesit klinikë janë me rëndësi të veçantë për sfidat me të cilat ballafaqohen sistemet shëndetësore, siç është rritja e çmimeve për kujdes shëndetësor, rritja e kërkesës për kujdes të kombinuar”.
“Përkrahja e UNFPA-së për hartimin e këtyre udhërrëfyesve është iniciativë regjionale dhe që ka filluar që nga viti 2011. Qëllimi i kësaj iniciative është që të kontribuojë në përmirësimin e kualitetit të shërbimeve sa i përket shëndetit riprodhues”.
Doktoresha Arbëresha Turjaka duke folur për procesin e zhvillimit të udhërrëfyesve klinikë, ka thënë se arsyeja e fillimit të hartimit të tyre kanë qenë statistikat që kanë të bëjnë me shkallën e lartë të vdekshmërisë dhe sëmundjeve te nënat dhe fëmijët.
“Objektivat e tjera të iniciativës regjionale kanë qenë përkrahja e vendeve për krijimin e mekanizmave për përmirësimin e zbatimit të udhërrëfyesve klinikë”.