MSh-ja për rastin në Kardiokirurgji: Do të marrim masat sipas ligjeve

Prishtinë | 06 Jan 2023 | 16:54 | Nga Ekonomia Online

Inspektorati Shëndetësor po mbledh të dhënat lidhur me rastin e ndodhur në Klinikën e Kardiokirurgjisë, ku një pacient ka vdekur disa orë pasi kishte kaluar një operacion të vështirë. Drejtori i kësaj klinike kishte thënë se kirurgu që kreu këtë operacion ishte pa përvojë për të. Kurse kirurgu ka thënë se ndaj tij është bërë tentim për eliminim profesional.

Ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë ka thënë se ka aktivizuar mekanizmat e saj për zbardhjen e rastit.

“Inspektorati Shëndetësor, në bazë të kompetencave ligjore është në fazën e mbledhjes së të dhënave lidhur me rastin në fjalë. Vlerësimi i përgjegjësive u takon organeve kompetente, andaj jemi në pritje të raporteve zyrtare të këtyre organeve”, ka thënë MSH-ja.

Për çdo gjetje nga institucionet në varësi të Ministrisë së Shëndetësisë do të merren masat sipas ligjeve në fuqi, ka thënë ministria.

“Presim, po ashtu që institucionet e drejtësisë dhe Oda e Mjekëve të Kosovës të ndërmarrin veprimet e nevojshme sipas kompetencave dhe ligjeve në fuqi”.

Ndërkohë, lidhur me rastin kirurgu Kushtrim Shala është kritikuar edhe për publikimin e pamjeve nga operacioni, për të cilat SHSKUK-ja ka thënë se pa leje nuk guxojnë të dalin pamje të tilla.

Të ngjashme