MSh saktëson se tepihët që do të blihen nuk do të shtrohen në zyrën e ministrit Latifi, por në hapësira të tjera

Prishtinë | 31 Gus 2022 | 14:33 | Nga Ekonomia Online

Kabineti i ministrit të Shëndetësisë, Rifat Latifi, ka dërguar një reagim në lidhje me artikullin e publikuar në Demokracia.com, të transmetuar edhe në Ekonomia Online me titullin “Rifat Latifi bën “investim” të madh në shëndetësi, blen 10 mijë euro tepihë”, lidhur me një aktivitet të prokurimit të Ministrisë së Shëndetësisë.

“Ju lusim që për hir të korrektësisë, të publikoni këtë reagim të Kabinetit të Ministrit Latifi lidhur me artikullin e botuar dje… Kabineti i Ministrit të Shëndetësisë Rifat Latifi ju informon juve dhe publikun se Ministri Rifat Latifi nuk ka kërkuar dhe as nuk ka blerë tepih, siç ia atribuoni ju në artikullin tuaj”, thuhet në reagim/sqarim.

“Aktiviteti i zhvilluar, siç edhe është përshkruar, ka pasur të bëjë me hapësira të caktuara të ndërtesës, përkatësisht të administratës së MSh-së, por jo për zyrën e Ministrit, prandaj aludimet për investime për zyrën e ministrit, nuk qëndrojnë dhe është jo-korrekte të përdoren për të shënjestruar figurën e Ministrit për gjoja shpenzime të kësaj natyre”, theksohet aty.

Në fakt edhe në artikull saktësohet se tepihët do të vendosen “në korridore, sallë dhe zyrën e Sekretarit te Përgjithshëm”.

“Operatori Ekonomik fitues është i obliguar që tepihët aktual të vendosur në korridore, sallë dhe zyrën e Sekretarit te Përgjithshëm t’i heq, t’i pastroj hapësirat dhe të vendosen tepihët e ri. Në kuadër te vendosjes se tepihëve duhet te përfshihet edhe ngjitësi adekuat si dhe qepjet e nevojshme. Tek karakteristikat janë përshkruar disa specifikime si trashësia, lartësia e fijeve pasha totale sipas ISO Standardeve dhe CE për kualitet dhe cilësi të lartë”, thuhej në artikullin e publikuar nga mediet.

Sipas njoftimit për dhënien e kontratës në e-prokurim për blerjen e këtyre tepihëve do të shpenzohen saktësisht 9 870 euro.

Të ngjashme