Ministria e Tregtisë dhe Industrisë do të ndajë një grant prej 400 mijë euro për gratë ndërmarrëse me qëllim të ndihmës për gratë që janë në biznes, raporton Ekonomia Online.
Sipas zyrtarëve të kësaj ministri ky projekt është në fazën përfundimtare dhe se po bëhet më qëllim të ndihmës së prodhuesve vendës, e sidomos grave ndërmarrëse.
Albert Maxhuni, shef i kabinetit të ministrit të Tregtisë, Vesel Krasniqi ka thënë se me vendimin që është marrë granti do të jetë në vlerë prej 400 mijë euro.
“Tash jemi te grandet për gratë ndërmarrëse. Kjo është në fazën finale. Shuma është 400 mijë euro që do të shërbej për gratë ndërmarrëse. Disa kritere që janë për të përfituar, duhet të kenë punëtore të regjistruar, mos të jenë në hetime, të jenë pagues i rregullt i tatimeve”, ka thënë Maxhuni.
Ai po ashtu ka përmendur se në këtë ministri është rritur edhe numri i inspektimeve, kur nga qershori deri në tetor janë bërë 640 inspektime bizneseve të ndryshme.
“Ministri Krasniqi ka rritur edhe numrin e inspektimeve dhe nga qershori deri në tetor është dyfishuar numri i inspektimeve, pra janë 640 inspektime dhe janë mbi 460 lëndë të përfunduara, pra është një numër minimal i lëndëve që nuk kanë përfunduar këto 4 muaj”, ka thënë Maxhuni.