MTI mbajti takim koordinues me donatorë

Prishtinë | 16 Nën 2017 | 16:15 | Nga

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë (MTI) sot mbajti takimin e rregullt të fundvitit me donatorë për punën dhe mbështetjen që i është bërë kësaj  ministrie, si dhe për të koordinuar veprimet që do të ndërmerren gjatë vitit të ardhshëm -2018.

Në konferencë pjesëmarrës, përveç përfaqësuesve të resorëve të MTI-së, ishin edhe përfaqësues nga: Komisioni Evropian, USAID-i, Swisscontact-i, EBRD-ja, Banka Botërore, GIZ-i, Ambasada e Kroacisë, Ambasada e Francës, etj.

 Në fjalën hyrëse, ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani, bëri të ditur se ai dhe ministria të cilën e drejton do të jenë të gatshëm për të bashkëpunuar vazhdimisht me donatorë, në mënyrë që të rriten shërbimet dhe aktivitetet në fushat me interes të zhvillimit të gjithmbarshëm ekonomik dhe shoqëror.

Ai tha se beson se edhe gjatë vitit të ardhshëm do të ketë ndihmën dhe mbështetjen financiare dhe profesionale nga donatorët për prioritetet e nisura të reformave dhe përmirësimit të fushave në kuadër të ministrisë.

Më tej, ministri Hasani potencoi: “Mbështetja e prioriteteve të ministrisë në sektorin industrial, si: mbështetja e ndërmarrjeve të vogla, që e kemi si prioritet; promovimin e investimeve; politikave tregtare; infrastrukturës së cilësisë; ambientin e të bërit biznes; si dhe në shumë fusha të tjera, nga donatorët do të ishte stimulim për të realizuar prioritete dhe objektivat e MTI-së për vitin 2018”, u shpreh ai.

Në fund, ministri Hasani i falënderoi të gjithë donatorët për punën dhe angazhimin e bërë në vazhdimësi ndaj Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë në avancimin e fushave dhe shërbimeve në kuadër të kësaj ministrie.

Ndërsa, ushtruesja e detyrës së Sekretares së Përgjithshme në MTI, Gentiana Islamaj, prezantoi në hollësi bashkëpunimin e ndërsjellë që e ka pasur ministria me donatorët. Gjithashtu edhe përfaqësuesit e resorëve të kësaj ministrie prezantuan bashkëpunimin e tyre me donatorë dhe paraqitën objektivat e tyre për vitin e ardhshëm, ku shprehën besimin e tyre se do të vazhdohet mbështetja e projekteve të tyre nga donatorët.

Po ashtu, në këtë takim edhe përfaqësuesit e donatorëve prezantuan fushat e MTI-së, që i kanë mbështetur, dhe njëkohësisht shprehën gatishmërinë e tyre për të vazhduar mbështetjen edhe në vitin 2018.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme