Qeveria e Republikës së Kosovës, gjegjësisht Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka marrë sot vendim që të themelohet Departamenti i Turizmit në kuadër të kësaj ministrie. Sipas ministrit të Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani tani e tutje turizmi do të konsiderohet si sektor prioritar. Ai ka thksuar se Qeveritë e kaluara nuk kanë marrë masa për turizmin.
“Kosova për nga resurset turistike ofron mundësi më të mëdha për zhvillimin e turizmit se sa disa nga vendet fqinje, por që qeveritë deri më tani nuk kanë ndërmarr disa masa për ta ngritur Kosovën si destinacion turistik.”, ka thënë Hasani.
Këtë ai e ka bërë të ditur përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook.
Postimi i plotë i ministrit Hasani:
Me propozimin tim sot në mbledhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës është marrë vendimi për themelimin e Departamentit të Turizmit në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë.
Zhvillimi i turizmit ka qenë i kufizuar për shkak të faktit se deri tani nuk ka pasur qasje gjithëpërfshirëse dhe nuk ka qenë sektor me prioritet për zhvillim ekonomik, derisa në 5-7 vitet e fundit turizmi në vendet fqinje është zhvilluar me mbështetje të madhe nga shteti dhe politikat e tij.
Kosova është vendi i fundit të cilit do t`i duhet të fus sistemin e njohur ndërkombëtarisht të qeverisjes së turizmit dhe mbështetjes së politikave në mënyrë që të përfitojë nga benefitet e zhvillimit të turizmit.
Kosova për nga resurset turistike ofron mundësi më të mëdha për zhvillimin e turizmit se sa disa nga vendet fqinje, por që qeveritë deri më tani nuk kanë ndërmarr disa masa për ta ngritur Kosovën si destinacion turistik.
Tani e tutje turizmin do ta konsiderojmë si sektor prioritar.