Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike e Postare (AKREP) ia ka ndarë operatorit serb të telefonisë mobile MTS-së 60 mijë numra mobilë, si dhe 74 mijë numra fiks.
Po ashtu, këtij operatori i është lejuar edhe vendosja e antenave në 30 lokacione në gjithë Kosovën.
Operatorit serb të telefonisë mobile MTS-së, i cili është produkt i marrëveshjes mes palës serbe dhe asaj kosovare në negociatat për telekomunikacionin në Bruksel, i janë ndarë të premten hiç më pak se 134 mijë numra nga Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike e Postare (AKREP).
Në bazë të vendimeve të siguruara nga gazeta “Zëri” shihet se nga kjo sasi e numrave, 60 mijë numra janë të telefonisë mobile, të cilat nisin nga 047/100-000 deri në 159 999.
Ndërkaq, numrat e telefonisë fikse vazhdojnë të jenë ashtu siç kanë qenë deri më tash.
Në bazë të vendimit shihet se në regjionin e Prishtinës MTS-ja do të kenë në shfrytëzim 14 mijë numra fiks, në regjionin e Mitrovicës do t’i ketë 46 mijë numra fiks, në regjionin e Ferizajt 6 mijë numra fiks, në atë të Gjilanit do t’i ketë 8 mijë numra fiks. Po ashtu, këtij operatori i është lejuar edhe vendosja e antenave në 30 lokacione në gjithë Kosovën.
Antenat e MTS-së do të vendosen në veri të Mitrovicës, Zubin Potok, Zupçe, Zveçan, Zveçan i Vogël, Kurillë, Verbovc, Joshanicë, Banjskë, Leshak, Leposaviq, në Manastirin Sokolica, në Manastirin e Deviçit, te Patriarkana e Pejës, në Deçan (Manastiri i Deçanit), Hoçë e Madhe, Graçanicë, Ranillug, Shillovë, Budrigë e Poshtme, Shtërpcë dhe Brezovicë.