Mustafa: MTS-i serb do të operojë i limituar

Prishtinë | 05 Shk 2017 | 09:08 | Nga Jehona Zhuniqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kompania serbe e telefonisë fikse dhe mobile “MTS” D.O.O, e cila ka marrë licencën për operim nga Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP), do të ketë operim të limituar në Kosovë.

Kjo kompani do të operojë në të gjithë territorin e Kosovës, por vetëm në vendet e banuara me komunitetin serb dhe do të ketë 60 mijë numra.

Kështu ka deklaruar në një intervistë për Ekonomia Online, drejtori i Telekomit të Kosovës, Agron Mustafa.

“Është e vërtetë që MTS-i serb ka marrë licencën për operim në vendin tonë, mirëpo me një operim të limituar vetëm në vendet e banuara me komunitetin serb, kështu që nuk do të ketë shtrirje në të gjithë Kosovën”,ka thënë Mustafa.

Kurse sa i përket marrjes së kodit shtetëror +383, drejtori Mustafa, ka theksuar se ky i fundit do të operojë në të gjithë Kosovën duke përfshirë edhe pjesën veriore të vendit.

Sipas Mustafës, do të nevojiten 18 muaj kohë deri sa kodi +383, të integrohet plotësisht dhe të jetë i shfrytëzueshëm si kod telefonik, duke eliminuar kodet aktuale.

“Ne vetëm jemi pajisur me kod, është periudhë transitore sepse ka punë të shumta teknike dhe migrimet e platformave të ndryshme që duhet të bëhen gjatë kësaj periudhe dhe ashtu siç kemi biseduar me rregullatorin të cilët me të vërtetë meritojnë një lëvdatë të fuqishme për punën të cilën e kanë bërë deri tani, parashihet një periudhë 18 mujore maksimum që të integrohet dhe të jetë në plotësi i shfrytëzueshëm si kod telefonik”, ka theksuar Mustafa.

Ai ka folur edhe për humbjet që i janë shkaktuar vendit në shumën prej 194 milionë euro, duke theksuar se gjatë diskutimeve me drejtorin e Monaco Telekomit kanë arritur t’i kursejnë disa miliona euro për vitet e ardhshme,”apo deri sa të bëhet tërësisht funksional kodi shtetëror”.

INTERVISTA E PLOTË

EO: Sa e ka dëmtuar Kosovën, vendin tonë mos marrja e këtij kodi deri më tani?

Mustafa: Unë nuk kisha me thënë dëmtim, mirëpo kisha me shiku me pozitivitet për shkak se vet pasja e kodeve të tjera na ka mundësuar neve që të kemi komunikim për shkak të rrethanave politike të cilat kanë mbizotëruar. Me fjalë të tjera nuk kemi pasur kod tonin, po mendoj të Kosovës shtetëror, por është dashur me shfrytëzuar kode të tjera të cilat, normalisht kur po e them jo dëmtim mendoj në atë që së bashku me shfrytëzimin e kodeve tjera kemi kiju të hyra për Telekomin e Kosovës, kemi krijuar të hyra për vendin tonë. Mirëpo në emër të shfrytëzimit të atij kodi kemi paguar disa shpenzime të cilat është normale për shkak se i kemi shfrytëzuar diçka dhe të gjitha ato shpenzime kanë ndodhur si gjenerim i përbashkët i të hyrave që në fund tani janë ndarë me Monaco Telekomin në këtë rast. Përmenda shifrën prej 194 milionë eurove deri më 2016 që kanë shkuar drejt Monaco Telekomit, mirëpo nuk do të thotë që Telekomi i Kosovës është dëmtuar 194 milionë euro, sepse një pjesë e madhe e këtyre të hyrave apo shumica absolute janë krijuar së bashku, mirëpo në të ardhmen, qysh sot ne kemi arritur që t’i shohim efektet e para në fillimin e shfrytëzimit të kodit të ri telefonik si rezultat i negociatave të reja dhe të fundit që i kemi pasur me drejtorin e Monaco Telekomit, ku kemi arritur që disa miliona t’i kursejmë për vitet e ardhshme apo deri sa të bëhet tërësisht funksional Kodi Shtetëror.

EO:Kur përfundimisht telefonia fikse dhe mobile do të pajiset me këtë kod?

Mustafa: Ne vetëm jemi pajisur, është periudhë transitore sepse ka punë të shumta teknike dhe migrimet e platformave të ndryshme që duhet të bëhen gjatë kësaj periudhe dhe ashtu siç kemi biseduar me rregullatorin të cilët me të vërtetë meritojnë një lëvdatë të fuqishme për punën të cilën e kanë bërë deri tani, parashihet një periudhë 18 mujore maksimum që të integrohet dhe të jetë në plotëni i shfrytëzueshëm si kod telefonik.

EO: A do të ketë shtrirje të plotë kodi edhe në pjesën veriore të vendit?

Mustafa: Kodi Telefonik shtrihet në të gjithë territorin e Kosovës, sepse është kod shtetëror, është kod telefonik i vendit.

EO: Është përmendur që do të funksionoj edhe një operatorë serb i cili do t’i përfshijë dikund rreth 60 mijë numra?

Mustafa: Nuk i di detajet, por është e vërtetë që MTS-i serb ka marrë licencën, apo është në përfundim të rregullimit të dokumentacionit për operim në vendin tonë, mirëpo me një operim të limituar vetëm në vendet e banuara me komunitetin serb, kështu që nuk do të ketë shtrirje në të gjithë Kosovën.

 

Të ngjashme