Merlina Beu Muçaj nga Green Art Center ka vlerësuar se gjendja e mjedisit në Kosovë po shkon duke u përmirësuar.
Në një intervistë në Sytë 7 ajo tha ka disa projekte që po realizohen për përmirësimin e cilësisë se jetës dhe ambientit.
“Fatkeqësisht gjendja e mjedisit nuk është mirë, fatmirësisht është duke u përmirësuar”.
“Kjo gjendje e mjedisit është si pasojë e mungesës se investimeve në këtë sektor”.
“Menaxhimi i mbeturinave është kompetencë e komunave dhe është sektor që ka nevojë për investime. Në bashkëpunim me GIZ-in jemi duke implementuar projekte të ndara në shtatë komuna, ndërsa kemi punuar me dhjetë komuna. Jemi duke bërë zhvillimin e planeve për ndarjen e mbeturinave në burim”.
“Kemi nisur procesin e ndarjes së mbeturinave në burim në dy komuna, Drenas dhe Vushtrri. Kemi bërë dy modele që do të implementohen edhe në komunat tjera”.
Muçaj gjithashtu theksoi rëndësinë e vetëdijesimit për kulturën mjedisore, duke nisur qysh në shkollat fillore.
“Shkolla është institucioni bazik ku çdonjëri merr kulturën e tij dhe për të pasur rezultate më të mira në vitet pasardhëse, natyrisht duhet të investohet në shkolla. Kultura mjedisore duhet të mësohet nëpër shkolla”.
“Së fundmi kemi bërë një marrëveshje me MASHT për të marrë përkrahjen e tyre për aktivitete ekstra-kurrikulare nëpër shkolla, për vetëdijesimin lidhur me kulturën mjedisore”.