Muharremi: 2 milionë po na dhembin, e 500 milionë në muaj na kalojnë pa u pa

Prishtinë | 06 Jan 2026 | 11:35 | Nga Ekonomia Online

Analisti Shenoll Muharremi ka komentuar diskutimet e bëra rreth shpenzimeve të deputetëve gjatë vitit 2025-të, e për çka thotë se tërheq paralelen e 2 milionë eurove për këto shpenzime me atë të 500 milionë eurove që çdo muaj dalin jashtë Kosovës si humbje tregtare në mallra.

Muahrremi ka thënë se kjo është serioze dhe me ndikim jashtëzakonshëm në ekonomi, duke theksuar se nuk po prodhojmë por vetëm po blejmë nga jashtë sikurse të ishte vitit 1912 e jo 2026.

Shkrimi i plotë i Muharremit:

2 milionë po na dhembin, e 500 milionë në muaj na kalojnë pa u pa

Sa e lexova një lajm se si janë shpenzu 2 milionë euro për deputetë gjatë vitit 2025. Pak a shumë ishte ankesë për ato mjete të shpenzuara. Po me siguri dëmi gjatë vitit 2025 të bllokadës dhe krizave është me miliarda, jo 1 e 2 milionë.

Po pse nuk po flasim për 500 milionë euro që secilin muaj mesatarisht dalin jashtë Kosovës si humbje tregtare në mallra, e nuk kthehen ma kurrë në ekonominë tonë?

Qato janë diçka shumë serioze dhe me ndikim të jashtëzakonshëm në ekonomi. Spo prodhojmë, vetëm po blejmë nga jashtë, sikur me qenë në vitin 1912 e jo në 2026.

Kur mblidhen, për një vit bëhen rreth 6 miliardë euro humbje tregtare në mallra, për një mandat rreth 25 miliardë euro. Në ditë janë rreth 16 milionë euro! Dmth, 1-2 milionë nuk janë naj send, kur i krahason me këto shifra.

E mbi të gjitha, kjo e tregon gjendjen dhe shëndetin e ekonomisë tonë… konkurrueshmërinë, sa po mundet me i përballu presionin dhe konkurrencën nga jashtë ekonomia jonë.

Ama le se, mirë e keni… spo flasim ma shumë për këto gjëra, se populli ka tregu që nuk i pengon kjo. Nuk ka ma me u anku tash, se 50% e keni votu e fitu partia që e ka rritë deficitin tregtar në mallra nga 2.8 miliardë në 6 miliardë.

E ka me shku në 10 miliardë në vit deficiti tregtar në mallra, nëse kanë fat me e përfundu mandatin. Gati 1 miliardë euro në muaj deficit në mallra kemi me pas në fund të mandatit. Para që dalin drejt e nga ekonomia jonë.

Ama këto as që na bëjnë përshtypje. Me një urë, krejt i harrojmë. As me folë shumë ska nevojë për këto gjëra.

Të ngjashme