Kryetarit i komunës së Pejës Gazmend Muhaxheri ka uruar qytetarët e Pejës për krijimin e kushteve të bërjes realitet të qendrës turistike “Borea”.
Borea është projekt i rëndësishëm për qytetin e Pejës dhe për regjionin e Dukagjinit e për gjithë Kosovën.
Qendra turistike “Borea” është vetëm 900 metra larg qendrës së qytetit, ndërsa pozita gjeografike e bënë atë në njërën ndër qendrat më të mira në rajon. Vetëm për 13 minuta mund të arrihet lartësia mbidetare prej 2400 metrash si dhe me kapacitet shfrytëzimi për të katërt stinët e vitit.
Të gjithë indikatorët e mundshëm shpien në një përfundim që investimi në këtë projekt është i sigurt, ndërsa i sigurt është edhe kthimi i investimit si dhe krijimi i një profiti të qëndrueshëm.
Kryetari i komunës së Pejës Gazmend Muhaxheri po ashtu falënderon kryeministrin Isa Mustafa dhe ministrin e Financave Avdullah Hoti për kontributin dhe mbështetjen e tyre në realizimin e këtij projekti.
“Falënderojmë fuqishëm edhe kryeministrin Mustafa, ministrin Hoti dhe tërë kabinetin qeveritar të Republikës së Kosovës, që me kontributin dhe mbështetjen e tyre të pa rezervë po arrijmë që këtë vepër kaq kapitale ta bëjmë realitet”.
Qendra turistike “Borea” do të jetë shëndeti human, ekonomik dhe kulturor i komunës së Pejës, e cila do të ketë impakt pozitiv edhe në imazhin e vendit tonë.
Nga ky projekt do të përfitojnë të gjithë pa përjashtim, duke filluar nga: turistët, vizitorët lokalë dhe të huaj, bizneset lokale si HOREKA, fermerët, zejtarët, institucionet e trashëgimisë kulturore, etj.