Muhaxheri: Vetëvendosje çdo muaj ka rënie nga 1%

Prishtinë | 04 Kor 2023 | 22:41 | Nga Ekonomia Online

Nënkryetari i LDK-së, Gazmend Muhaxheri, ka thënë se Lëvizjes Vetëvendosje i ka rënë shumë përkrahja në popull.

Sipas tij, Vetëvendosja nuk e ka mbështetjen më të madhe të qytetarëve dhe siç tha ai, ata po mundohen të manipulojnë me përqindje.

“Edhe ata i kanë sondazhet por edhe ne i bëjmë sondazhet të cilat tregojnë se ata kanë rënie të madhe. Çdo muaj i kanë nga 1 për qind rënie. Për ne si parti opozitare por edhe si intelektualë është për t’i dalë përpara kësaj të keqje dhe të mundohemi që ta ndalim. Në Serbi ka pasur intelektualë por s’ka mundur të ndalet njeriu i tyre”, tha ai në Rubikon të Klan Kosovës

“Tash, edhe tek ne, nëse hyjmë në zgjedhje dhe humbim, nuk duhet akuzuar që humbëm. Por, kemi bërë një përpjekje të madhe për ta ndalur një të keqe. Një të mirë që e ka bërë është Ligji për Parkun Nacional “Bjeshkët e Nemuna”. Edhe pse i ka disa të meta për banorë, por për Pejën është zakonisht vital dhe e falënderoj publikisht ministrin Liburn Aliu që e ka pasur guximin dhe e ka çuar deri në fund”, shtoi ai.

Kryetari i Pejës, ndër të tjera, theksoi se LDK-ja është e gatshme për zgjedhje të reja parlamentare.

Për më tepër, ai i kërkoi kryeministrit Albin Kurti dhe presidentes Vjosa Osmani, që të japin dorëheqje.

“Me fut vendin në sanksione dikush që e don vendin, duhet të mendohesh. Presidentja edhe kryeministri. Edhe ajo ka përgjegjësi me këto se çka po ndodh me kryeministrin. Duhet ta kthejë diskursin kah normaliteti, me i ikë konfrontimit në veri edhe me lënë ‘Shtetin e së Drejtës’ të vendoset më vonë”, u shpreh Muhaxheri.

Të ngjashme