Analisti politik, Artan Muhaxhiri, ka thënë se lajmi që tha sot në Prishtinë komisionari Johannes Hahn se nuk do të ketë liberalizim të vizave është edhe “rezultat i degradimit të dialogut në Bruksel”.
“Kosova ka pasur shpresë të madhe se dialogu do të jetë çelës për integrimin e saj në Evropë”.
“Paradoksalisht, në vend që dialogu t’i përmirësonte raportet mes Kosovës dhe Serbisë ai i ka degraduar ato, prandaj sot jemi në situatë më të keqe se që kemi qenë para 7-8 viteve”, ka thënë Muhaxhiri, njofton Klan Kosova.
“Duket se akti i taksës 100% ka qenë mënyra e vetme që BE-ja ta kthejë fokusin drejt Kosovës. Kjo mënyrë e dialogut nuk ka pasur mundësi të sillte rezultat pozitiv, pasi BE-ja nuk reagonte ndaj aktivitetit destruktiv të Serbisë për zhbërjen e shtetësisë së Kosovës. Raportet po dëmtoheshin në vazhdimësi, me fajin e Serbisë dhe indiferencën e BE-së”.
Sipas tij, vetë Bashkimi Evropian e ka zbehur idenë dhe konceptin e tij në Kosovë.
“Me këtë neglizhencë dhe qasje me primesa abstrakte, duke iu ikur datave dhe realizimit konkret të premtimeve, BE-ja ka kontribuar që ne sot të vijmë në këtë situatë që nuk është e mirë për asnjërën nga palët – as për Kosovën, as për BE-në, as për Serbinë”.
“Vizita e Hahn i dëmton përpjekjet për largimin e taksës, gjë të cilën ai e ka synuar, sepse kjo vizitë e forcon aspektin politik të idesë së Haradinajt për taksën – nuk ofron asnjë avancim të dobishëm për kosovarët si kundërshpërblim për heqjen e saj, rrjedhimisht bën që t’i jepet e drejtë Kosovës të ketë një qasje më të rreptë në raport me Serbinë”.
Me gjithë lajmin negativ që përcolli në Prishtinë sot Komisionari për Zgjerim i BE-së, Muhaxhiri ka thënë se vizita e tij ka dhe një të mirë.
“E mira e kësaj vizite është që të gjithë liderëve politikë kosovarë të cilët deri më tash kanë bërë gara në premtime për liberalizim të vizave tash do t’ju mbyllet goja dhe detyrimisht do të duhet të bëhen më racionalë”.
“Kosova ka interes për integrim në BE, por edhe BE-ja ka interes për integrimin e Kosovës. Nisja e një etape të re paqësore për Ballkanin s’ka mundësi të formësohet pa Kosovën”.
“Pa integrimin e Kosovës, BE-ja nuk mund ta cilësojë si projekt të kryer involvimin e saj në Ballkan”.