Taktizim politik të Albin Kurtit, e ka parë analisti Artan Muhaxhiri, mosshkuarjen e këtij të parit në takim te presidenti i vendit, Hashim Thaçi.
“Është e pakuptueshme tendenca e z. Kurti që ta injorojë këtë ftesë, sepse njeriu i cili ka fituar zgjedhjet, i cili ka gati 184 mijë vota duhet ta ketë vetëm një prioritet e ai është themelimi i qeverisë”, ka thënë Muhaxhiri.
Sipas tij, 24 orë në ditë, në këtë rast Kurti, duhet të jetë i gatshëm që të përgjigjet ndaj kërkesave kushtetuese që do ta mundësonin formimin e qeverisë.
Dy ftesa për takim brenda ditës, kanë shkuar në adresë të Vetëvendosjes, nga presidenti Hashim Thaçi, ditën e djeshme. Një ditë pas konstituimit të Kuvendit, presidenti Thaçi e ka ftuar Kurtin në takim konstultativ rreth mandatarit për formimin e qeverisë.
Në Zyrën e Presidentit, takimi i parë dështoi meqë Vetëvendosje njoftoi se lideri i saj, Albin Kurti, nuk ndodhet në Prishtinë.
Pas refuzimit të ftesës, presidenti Thaçi sërish ka ftuar në orën 20:00 liderin e Vetëvendosjes, Albin Kurti.
Por, as kësaj radhe Kurti nuk i shkoi në takim presidentit, e njoftimin e bëri ai personalisht përmes një letre dërguar Thaçit.
“Sot isha jashtë vendit. Nuk do të mund të vij as sonte. Për t’u konsultuar për caktimin e mandatarit për formimin e Qeverisë, takohemi gjatë ditëve në vijim. Ndërkohë, por i shqyrtoj këto nenet që i keni përmendur në dy letrat tuaja”, thuhet në letrën e Kurtit.