Deputeti i Nismës, Enver Hoti, dhe ai i pavarur, Shaip Muja, kanë kërkuar që të mbahet një seancë e veçantë për të diskutuar mbylljen e pikave të Postës së Kosovës nëpër institucione publike, raporton Ekonomia Online.
Gjatë punëtorët e Postës së Kosovës kanë protestuar para Kuvendit të Kosovës, për të kundërshtuar vendimin e Autoritetit të Konkurrencës për mbylljen e pikave të Postës në Ministrinë e Punëve të Brendshme e në disa komuna, me të cilat Posta ka pasur marrëveshje.
Enver Hoti, deputet i Nismës, ka thënë se marrëveshjet që i ka arritur Posta me disa institucione të Kosovës i ka shpallur si marrëveshje që e dëmtojnë konkurrencën dhe ka kërkuar nga këto institucione që të largohen zyrat e Postës nga ambientet e tyre.
“Autoriteti i Konkurrencës nuk e ka bërë një vlerësim të duhur dhe të saktë. Ky autoritet shumë vështirë e ka me dhënë një mendim të saktë, ky vendim e dëmton interesin e shtetit, interesin e mbi 1 000 punëtorëve që punojnë aty”, ka thënë ai.
Shaip Muja ka propozuar që të mbahet një seancë e posaçme për problemin e punëtorëve të Postës që e kanë shfaqur sot në protestë.
“Është joserioze prej nesh t’i lëmë ata të kalojnë vetëm me një demonstrim; kjo është një papërgjegjësi e qeverisë, që lejojnë punonjësit publikë të kritikojnë institucionin publik”, ka thënë ai.
Sipas Mujës, Ligji i konkurrencës i cili po aplikohet nuk është i barabartë, pasi në këtë rast e fut në konkurrencë një kompani publike me institucione mikrofinanciare.