Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, ka thënë se vendimi i Gjykatës së Apelit për ta rrëzuar vendimin Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për ngritje të çmimit të energjisë, nuk është i saktë, derisa ka thënë se kërkesa e PDK-së është e paligjshme.
Ai pas mbledhjes së Kryesisë, ka thënë se Gjykata e Apelit nuk e ka rikthyer në pikën zero vendimin e ZRRE-së.
“Gjykata nuk ka marrë vendim që me kthy në pikën zero. Gjykata e ka aprovuar kërkesën e PDK-së që të pezullohet vendimi deri sa të ketë aktgjykim të formës së prerë. Baza e kërkesës është e paligjshme”, ka thënë ai.
“Unë besoj që ka një përpjekje e opozitës që të ketë një koordinim të plotë e që të pamundësohet ose që Kosova të vendoset në një kolaps energjetik. Opozita duhet të ketë parasysh se këto përpjekje, unë besoj se janë të pamatura. Por megjithatë Kosova njihet për organizimin e mirë të krizës energjetike”, tha Muja.