Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, realizuan edhe një takim në përpjekje për të harmonizuar programet për të bashkëqeverisur.
Njohësi çështjeve politike, Armend Muja, në një prononcim për EkonomiaOnline, thotë se LDK-ja duhet të pranojë realitetin e krijuar në vend pas zgjedhjeve të 6 tetorit.
Duke komentuar takimet e grupeve punuese të këtyre dy partive, Muja thotë se LDK-ja nuk duhet të vendosë kushte për VV-në, pasi që tashmë sipas tij në Kosovë ka ndodhur ndryshimi dhe se LDK-ja duhet t’ përshtatet rrethanave të krijuara.
“Unë i kam dëgjuar disa arsye për vonesa dhe mu duken pak jokonsistente për arsye se njëra prej partive thanë që po bëjnë përafrim të programeve. Ndërkohë që gjatë gjithë kohës gjatë diskutimeve për koalicion paraelektoral mes LDK-së dhe VV-së është dhënë një shpjegim se janë duke u përafrua programet. Kështu që nuk e di sa janë përafruar programet. Njëra mund të jetë e pasaktë ose gjatë koalicionit parazgjedhor ka pas probleme. Unë mendoj që është një më tepër një reflektim i rezistencës për me e pranua ndryshimin e ri politik. Kosova nuk është më siç ka qenë. Është një Kosovë e re dhe është më mirë për LDK-në që të përshtatet me këto ndryshime, sesa t’i rezistojë këtyre ndryshimeve”, ka thënë Muja.
Analisti Muja ka komentuar edhe moskalimin e pragut nga koalicioni Nisma-AKR-PD.
Ai thotë se pavarësisht se janë rreth 25 mijë vota me kusht, ky koalicion e ka të vështirë kalimin e pragut.
“Po Nisma Socialdemokrate është menduar se do ta kalojë pragun. Edhe me votat e diasporës, gjë që është konfirmuar që nuk arrin për pak, mirëpo mbesim te votat me kusht. Ka një dilemë në Kosovë në lidhje me votat me kusht dhe këto me kusht duhet të jenë rreth 25 mijë. Nëse i heqim votat e pavlefshme, por që besoj se këto vota i fiton Lëvizja Vetëvendosje. Nuk jam i sigurt por Nismës i duhet rreth 1400 vota shtesë që ta kalojë pragun. Unë mendoj që atyre iu duhet mbi 6 për qind të votave me kusht në mënyrë të mbesë brenda pragut”, ka thënë Muja.
Dy grupet punuese në takimin e së premtes u dakorduan lidhur me përmbajtjen dhe parimet e marrëveshjes për bashkëqeverisje.
Në takim u shqyrtuan temat kryesore politike dhe reformat kyçe sektoriale të cilat e presin Qeverinë e re.
Palët u dakorduan për intensifikimin e takimeve dhe që takimi i radhës të mbahet të mërkurën nga ora 15:00 për të konkretizuar diskutimet e sotme.
Zgjedhjet e 6 tetorit nxorën të parën Lëvizjen Vetëvendosje, pasuar nga Lëvizja Vetëvendosje.
Befasia e këtyre zgjedhjeve mbetet ende moskalimi i pragut të koalicionit Nisma-AKR-PD.