Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, e konsideron si skenar të Partisë Demokratike të Kosovës përleshjen në Kuvendin e Kosovës, raporton Ekonomia Online.
Sipas tij, dhuna atë ditë në Kuvend, i ka bërë dëme Republikës së Kosovës. E para sipas tij, është që Kosova të mos quhet më si fanar i demokracisë dhe dëmi i dytë në përballje me Serbinë në dialog.
Në një intervistë për Ekonomia Online, Muja shprehet se për një sulme të tilla është përballur në Komisione.
“Atë ditë e kam menduar sepse ashtu ka ndodhur edhe vitin e kaluar, është si sport i opozitës kjo. Siç ekziston një targetliste e tyre, edhe vitin e kaluar ishte njëjtë një përpjekje e ngjashme, mirëpo u kemi shmang asaj, edhe ditë më herët ishte. Siç e kanë sport, nuk e di tek baza e tyre, dikujt i duket interesant që të goditet me shuplakë Besniki, Armend…, nuk e di pse, mbase tek këto shtresat primitive politike ka edhe rëndësi kjo punë por nuk e kuptoj. Se një vend kur nuk ka dhunë është Kuvendi i Kosovës”, u shpreh ai.
Ngjarjet e tilla sipas deputetit të VV-së, janë si rezultat i mungesës së fuqisë intelektuale dhe mungesës së kulturës politike të opozitës.
“Unë çdo herë e kam prit se jam shumë i vëmendshëm se jam ballafaquar me tentim dhune edhe në Komision nga PDK ose AAK. Për mua mjerisht është bërë goxha normale këto denigrimet, cytjet fizike shumë mjete fizike dhe unë besoj se është reflektim i mungesës së fuqisë intelektuale dhe mungesës së kulturës politike, deri në stadin ku ti zhvillon projekt politik dhe s’ke nevojë me u rreth me kundërshtarin”, u shpreh Muja, teksa i përmend edhe qëllimet e PDK-së.
“Unë besoj se PDK-ja kishte një qëllim atë ditë që Kosova ta ketë një njollë që mos ta quajmë vetën si fanari i demokracisë, vërtetë e kanë planifikuar bashkë me azilantë nga Kosova në Shqipëri dhe besoj se kjo ka qenë përpjekje që Kosova të mos vetëquhet më si fanar i demokracisë. Ajo ishte përpjekja dhe qëllimi ishte të degradohet kryenegociatori i Kosovës ndërkohë ai është në ballafaqim me Serbinë. Unë besoj se këto ishin dy motivet”, u shpreh Muja.
Krahas sulmit që ndodhi javën e kaluar në Kuvend, Muja tha se tentime të tilla ka pasur edhe vitin e kaluar. Kësaj radhe PDK-ja ka qenë e ndihmuar nga AAK-ja.
“Jo, sepse kanë ardhë për atë punë, kështu ka qenë edhe vitin e kaluar, ku ka qenë një seancë e ngjashme kur këta e kanë pasur një skenar dhune brenda Kuvendit. Po të mos ishte ajo shishe, do të ishte diçka tjetër. Po e vërteta është që atë ditë do të kishte dhunë sepse ishte skenar, ishte skenar. Kësaj here nga PDK-ja me mbështetje anësore nga AAK-ja. Vitin e kaluar ishte e kundërta, ishte AAK-ja lider dhe me mbështetje nga PDK-ja”, tha Muja.