Policia gjermane ka nisur një hetim kundër multimilionerit çek Radim Passer, i cili voziti 417 km/h në autostradën gjermane dhe më pas u mburr për këtë në YouTube. Edhe pse nuk ka kufizime të shpejtësisë në autostradat gjermane, garat janë të ndaluara, shkruan agjencia kroate e lajmeve, Index.
Sipas ligjit gjerman, të ashtuquajturat gara individuale janë gjithashtu të ndaluara nëse një shofer e drejton me shpejtësi të parregulluar automjetin, duke shkelur rëndë rregullat dhe në mënyrë të pamatur ta arrijë shpejtësinë më të lartë të mundshme, tha policia në Magdeburg.
Videoja, e postuar nga Radim Passer në kanalin e tij në YouTube, tregon makinën sportive Bugatti Chiron duke lëvizur përgjatë autostradës gjermane A2 nga Berlini në Hanover me shpejtësi deri në 417 km/h.
“Shoferi lejohet të ngasë me shpejtësinë me të cilën është e mundur të drejtojë veturën”, thuhet në deklaratën e Policisë.