Mungesa e barnave nga lista esenciale në institucionet publike shëndetësore në Kosovë, vazhdon të jetë shqetësuese. Një rënie e tillë gjatë gjithë këtij viti vlerësohet se vjen si pasojë e alokimit të buxhetit për barna në vlerë prej 15 milionë euro, nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës në Ministrinë e Shëndetësisë.
Zyrtarë të lartë brenda Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, kanë bërë të ditur se gjatë këtij viti qysh në fillim të planifikimit të blerjes së barnave, iu kanë munguar 5 milionë euro.
Ndonëse kërkesat për furnizim me barna nga klinikat dhe spitalet rajonale tashmë janë dorëzuar në Ministrinë e Shëndetësisë, dhe furnizimi i kohë pas kohshëm po ndodhë nëpër klinika, mungesa e barnave dhe materialit shpenzues vërehet shumë.
Pacientët thonë se gjithçka që është dashur për trajtim i kanë blerë vetë ditët e fundit. Njëra nga to ka folur edhe për Radion Evropa e Lirë.
“Gjërat më elementare ne i blejmë. Gjërat që kushtojnë lirë, nuk i kanë. Mos të flasim për barnat që janë të shtrenjta”, ka deklaruar Mirjeta.
Edhe vetë zëdhënësi i Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, Shpend Fazliu ka thënë se ka mungesë evidente të barnave, derisa ka shtuar se kanë qenë donatorët ata që vetëm kohët e fundit i kanë ndihmuar me 7 milionë euro.
“Kërkesat për blerje të barnave tashmë janë proceduar në Ministrinë e Shëndetësisë, sipas procedurës së rregullt. Jemi në fazën e furnizimit, dhe barnatorja qendrore është në kontakt me ta, por ka mungesa të barnave për shkak të buxhetit të ulët që ka Ministria, dedikuar për furnizim me barna”.
“Shtatë milionë euro janë pranuar këtë vit vetëm nga donatorët. Ministria e Shëndetësisë shpresojmë që do ta bëjë furnizimin ashtu si është kërkuar nga klinikat. Por, tash për tash ka mungesa e që pacientët detyrohen t’i blejnë vetë”, tha Fazliu.
Në anën tjetër Kryetari i Sindikatës Federale të Shëndetësisë, Blerim Syla, thotë se problematika e furnzimit me barna esenciale është e lashtë, dhe se nuk po mund të dilet nga kjo problematikë, pikërisht për faktin siç thotë ai, sepse lista esenciale nuk duhet bëhet nga qefet e njerëzve.
“Kjo është një problematikë e madhe, por buxheti për shëndetësi është i ulët. Ndonëse po shpresohet me miratimin e ligjit për sigurime shëndetësore se do të rregullohet gjendja, unë mendoj se kohëve të fundit është keq. Ministria e Shëndetësisë ndonëse ka ndarë mjaft mjete për barna esenciale, në të njëjtën kohë kemi mungesë të barnave, dhe nuk dihet se ku të kërkohet përgjigjja”.
“Mendoj se duhet të forcohen sigurimet shëndetësore dhe të rritet buxheti për shëndetësi dhe lista esenciale të jetë listë esenciale, e jo listë për qefe të njerëzve, ka thënë Syla.
Në Klinikën Emergjente ndërkaq thuhet se barnat që duhen për të shpëtuar jetë, meqë natyra e kësaj klinike është e tillë, nuk mungojnë.
Drejtori i kësaj klinike, Basri Lenjani, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se gjithmonë mbajnë rezerva barnash në raste kur duhet shpëtohet një jetë, derisa shton se shumica e barnave tjera të nevojshme si dhe materiali shpenzues për punë, mungon.
“Në Klinikën Emergjente barnat nga lista esenciale të cilat janë të rendit të dytë, mungojnë. Por, Klinika Emergjente ka renditur stoqet rezervë minimale, kur lista esenciale është obligim i shtetit që të plotësohet mbi 80 për qind”.
“Andaj si rezultat i rezervave, Klinika Emergjente nuk ka ndodhur të mbetet pa barna jetëshpëtuese, ato të rendit të parë. Klinika Emergjente duhet të ketë 24 orë barna, por përkundër kësaj ne kemi mungesa të barnave që janë të dobishme për shërbimin tonë‘’, ka thënë Lenjani.
Sidoqoftë, zyrtarë në Ministrinë e Shëndetësisë tashmë kanë deklaruar se alokimi i buxhetit nga një institucion në tjetrin, ka qenë kërkesë e donatorëve dhe është miratuar nga Kuvendi i Kosovës.