Mungesa e energjisë elektrike në nivel vendi, ishte temë diskutimi në Kuvendin Komunal të Rahovecit, raporton Ekonomia Online.
Pozitë e opozitë në Rahovec thanë se janë në gjendje edhe të protestojnë si shenjë pakënaqësie ndaj nivelit qendror për mungesë energjie.
Asamblisti i LDK-së, Burim Krasniqi, tha se nga kjo parti janë në mbështetje të protestave.
“Kryetar a e din se çfarë po ndodh me këtë mungesë energjie. Unë po kërkoj nga ju që ta përdorni autoritetin tuaj edhe ne si LDK jemi në gjendje t’ju përkrahim edhe nëse është nevoja për protesta sepse kjo që po ndodh nuk është në rregull”, u shpreh Krasniqi.
Ndërsa, kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi tha se me mungesën e energjisë elektrike janë përballur, sidomos fshatrat.
“Një lagje në Krushë të Madhe kanë qëndruar tri ditë pa energji elektrike, edhe në lagjen Kryeziu, njëjtë ka ndodhë në Celinë e në fshatra tjera njëjtë është. Pra, kjo situatë është në tërë Rahovecin, dhe jo vetëm. Është në krejt Kosovën”, tha ai.
Madje, Latifi kërkoi edhe nga Lëvizja Vetëvendosje të cilët më shumë patën ankesa e akuza në drejtim të qeverisjes lokale.
Në fund, kryetari Latifi prezantoi raportin e punës për vitin 2024. Në të janë zotimet, punët dhe prioritet e vitit 2024.
“Ka qenë një vit i suksesshëm, por edhe vështirësi dhe mund të konsiderojmë vit me plotë angazhime e dinamike ppr edhe vështirë. Sfida më e madhe është buxheti i pamjaftueshëm. Jemi të bindur se deri në fund të vitit do e kalojmë 99 për qind. Buxheti nuk po na tepron fare, te pjesa e subvencioneve nuk kemi më buxhet dhe besoj se do të kemi edhe disa festivale që do të jetë goxha i mirë”, u shpreh Latifi, teksa foli edhe për kontratën kolektive, si dëm i madh për komunat.
Latifi njoftoi se kjo komunë është përfituese e grantit të performancës.
“Ne këtë vit thuajse kemi shpëtuar, për shkak se urdhri i përmbarimit është bartë për tremujorin e vitit të ardhshëm. Ka komuna që janë dëmtuar tejmase dhe po ju jap një lajm të mirë se jemi përfitues të grantit të përformancës, ne e kemi humbur parvjet se e kemi humbur për shkak të kontratës kolektive, ndërsa sivjet jemi mirë”, deklaroi Latifi.