Mungesa e gjykatësit shtyn seancën për vrasjen në lokalin “Bon Vivant”

Prishtinë | 10 Jan 2018 | 13:34 | Nga

Mungesa e anëtarit të trupit gjykues, gjykatësit Arben Hoti, është bërë shkak për shtyrjen e seancës gjyqësore ndaj Masar Gërdovcit dhe Sherif Krasniqit, të akuzuar për vrasjen e rojës së lokalit “Bon Vivant” në Prishtinë, në tetor të vitit 2014.

Seanca ndaj Masar Gërdovcit dhe Sherif Krasniqit, ishte paraparë të mbahej të mërkurën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, mirëpo kryetarja e trupit gjykues, Suzana Qerkini, paraprakisht i kishte revokuar urdhëresat për sjelljen e të akuzuarve nga paraburgimi, pasi gjykatësi Arben Hoti, ndodhej në pushim vjetor.

Kryetarja e trupit gjykues, në seancën e së mërkurës, ka deklaruar se revokimin e urdhëresave e ka bërë pasi që e ka kuptuar se një anëtar i trupit gjykues gjendet në pushim vjetor.

Në mungesë të kushteve për mbajtjen e seancës gjyqësore, e njëjta është shtyrë për 6 shkurt 2018.

Sipas aktakuzës më 13 tetor 2014, Masar Gërdovci dhe Sherif Krasniqi, kanë shkuar në lokalin “Bon Vivant”, i cili gjendet në rrugën “Rexhep Luci”, në Prishtinë.

Sipas aktakuzës, me të hyrë brenda në lokal, menaxheri i lokalit Ilir Misini, i pyet të pandehurit se a kishin rezervuar ku të njëjtit ishin përgjigjur “Ne asnjëherë nuk kemi bërë rezervim”, dhe kishin vazhduar të ulen në tarracë, në pjesën e pasme të lokalit.

Në aktakuzë thuhet se menaxheri i lokalit i kishte thënë tani të ndjerit Rrahman Uka, të merret me të pandehurit që t’i largoi nga lokali, i cili ishte ofruar tek tavolina ku ishin ulur ata, me qëllim për t’i larguar nga lokali pasi të njëjtit nuk kishin rezervim. Aktakuza vazhdon se posa i Uka largohet dhe hynë në sallën e lokalit, të pandehurit ngritën nga tavolina dhe shkojnë në drejtim të tij, ku fillojnë ta sulmojnë me grushte.

Gjithnjë sipas aktakuzës, me qëllim që ta privojnë nga jeta fillimisht Masar Gerdovci, e kishte nxjerrë revolen nga çanta e tij dhe kishte shtënë në drejtim të punëtorit të sigurimit Rrahman Uka, i cili ishte përulur në atë moment për t’i shmangur goditjeve. Sipas aktakuzës, Uka me tu ngritur në këmbë niset në drejtim të tashmë të pandehurve që në moment ishte duke shkuar në drejtim të daljes nga lokali, papritmas i pandehuri Sherif Krasniqi, me dashje që ta provoi nga jeta merr revolen nga Masar Gërdovci dhe shkrep dy herë në drejtim të tani të ndjerit me ç’rast e plagos në regjionin e gjoksit dhe si pasojë e gjakderdhjes masive nga plagët e marra ndërron jetë në QKUK.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme