Mungesa e të akuzuarit dhe anëtarëve të trupit gjykues shtyn gjykimin për vrasje

Prishtinë | 20 Jan 2020 | 10:39 | Nga Ekonomia Online

Të hënën, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ka dështuar seanca e rigjykimit në rastin e të akuzuarit për vrasje, Ekrem Junuzi.

Sipas njoftimit nga kryetari i trupit gjykues, Vesel Ismajli, urdhëresa për sjelljen e të akuzuarit ishte lëshuar, por e njëjta nuk ishte postuar.

“Ka ndodhur një mos koordinim i punëve, urdhëresat i kemi përpilu, por nuk i kemi postu. Po më vjen jashtëzakonisht keq, por këto gjëra ndodhin”, tha Ismajli, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ismajli, po ashtu u paraqit i vetëm për seancë, për çka tha se nuk po arrin t’i kontaktojë dy anëtaret tjerë të trupit gjykues.

Seanca e radhës lidhur me këtë rast pritet të mbahet më 28 janar 2020, nga ora 13:00.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 25 shtator 2017, Junuzin e kishte shpallur fajtor për veprat penale, vrasje e rëndë dhe armëmbajtje pa leje dhe të njëjtin e kishte gjykuar me 25 vjet burg efektiv.

Mirëpo, pas ankesës së mbrojtjes së Junuzit, në shkurt të vitit 2018, Gjykata e Apelit e kishte kthyer këtë çështje në rigjykim, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Edhe pas rigjykimit, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 10 qershor 2019, Junuzin sërish e kishte shpallur fajtor. Për vrasje të rëndë, Junuzi ishte dënuar me 24 vjet burgim ndërsa për armëmbajtje pa leje me një vit e gjashtë muaj burgim, kurse, 25 vjet burg kishte qenë dënimi unik i shqiptuar ndaj tij nga gjykata.

E sërish e pakënaqur me vendimin e shkallës së parë kishte qenë mbrojtësi i të akuzuarit i cili kishte ushtruar sërish ankesë.

Lidhur me pretendimet ankimore, Gjykata e Apelit në tetor të vitit 2019 këtë rast e kishte kthyer në rigjykim, me qëllim që të vërtetohet motivi i vrasjes, se a janë raportet jo të mira me bashkëshorten e tij, me djalin apo me mikun.

Me qëllim të evitimit të shkeljeve Apeli kishte marr vendim që kjo çështje të kthehet në rigjykim.

Kundër aktgjykimit të Themelores, nuk kishin ushtruar ankesë as Prokuroria Themelore në Prishtinë e as palët e dëmtuar në këtë rast.

Ekrem Junuzi, akuzohet se më 8 mars të vitit 2014, në Prishtinë, për shkak të një mosmarrëveshje që kishte pasur me bashkëshorten e tij, e ka privuar nga jeta vëllain e saj, Bastri Krasniqi.

Sipas aktakuzës, Junuzi pasi që ka tentuar të gjej zgjidhje për këto mosmarrëveshje me Bastri Krasniqin, në një kafene të Prishtinës, ku prezent kanë qenë edhe djali dhe vëllai i të pandehurit dhe derisa të njëjtit ishin duke u kthyer, më të arritur tek shtëpia e vëllait të Junuzit, i pandehuri ka dal nga vetura e tij dhe iu ka afruar veturës së djalit të tij, ku gjendej Bastri Krasniqi, ka hapur derën e veturës dhe me dashje që ta privojë nga jeta e ka shtënë tre herë me armë zjarri, në drejtim të tashmë të ndjerit, në pjesë të ndryshme të trupit.

Si pasojë e këtyre të shtënave, Krasniqi kishte mbetur i vdekur, derisa një plumb e kishte goditur në këmbë edhe vëllain e tij, Fejzi Junuzin, të cilit i është shkaktuar lëndim i rëndë trupor.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme