Labinot Greiçevci, drejtor i Institutit “Ridea” ka thënë se Kosova duhet të ketë një konsensus të brendshëm për fazën finale në dialogun me Serbinë.
Në “Express Intervistën” ai ka thënë se tryezat që po mbahen nga partitë politike janë të shëndetshme për politikën vendore, por thekson se duhet të pritet për rezultatin final që do të prodhojnë këto tryeza.
“Besoj se janë të shëndetshme këto tryeza për jetën politike në Kosovë, por duhet me pa produktin final të tyre. Nëse rezulton që të kemi një ekip të përbashkët, atëherë mund të thuhet se këto tryeza kanë qenë produktive, por nëse jo atëherë mund të thuhet se janë pjesë të një marketingu politik në Kosovë, dhe përdoren për qëllime të caktuara politike”, është shprehur Greiçevci.
Sipas tij mungesa e një konsensusi brenda shqiptar do të thotë dobësim i pozicionit të Kosovës në fazën finale të dialogut.
“Është e domosdoshme që Platforma të kalojë në Kuvend dhe të ketë së paku dy të tretat e votave, dhe të ketë një konsensus të palës shqiptare. Mungesa e konsensusit brenda shqiptar në Kuvendin e Kosovës do të thotë dobësim i pozicionit të Kosovës në fazën finale të dialogut me Serbinë. Duhet të bëhen të gjitha përpjekjet nga të gjitha partitë që caktohet një person me konsensus të përbashkët për fazën finale të dialogut që pritet të zhvillohet në Bruksel”, ka thënë ai.
Ai shton se, “ideja është që kjo të trajtohet në Kuvend dhe komisionet relevante, duhet të ketë debat e shqyrtime, e është krejtësisht është formale se kush do të udhëheqë me negociatat. Me draftligj parashihet se udhëheqës të jetë presidenti, dhe duket se me gjasë do të jenë presidentët ata që do të qojnë një marrëveshje eventuale, që mund të quhet historike nëse ajo arrihet”.
Greiçevci thotë se është një proces që ndikohet nga faktorët kryesorë ndërkombëtarë, që kanë pasur ndikim direkt në themelimin dhe shtetndërtimin e Kosovës.
“Ata janë të interesuar që ky proces të mbyllet nga mesi i vitit të ardhshëm, dhe nëse nuk do të ketë marrëveshje atëherë së paku edhe në 10 vitet e ardhshme s’mund të ketë marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe në këtë rast është Kosova që humbë më së shumti”, thotë ai.
Ai shton se nëse kemi një marrëveshje ndërmjet Kosovës e Serbisë atëherë ajo duhet të miratohet në Kuvend. Ekipi që do të shkonte të negocionte me Serbinë atëherë do të përfshinte gjithë partitë politike në këtë dialog.
“Nëse do të ketë gjithë përfshirje, ai person (Thaçi) nuk do të jetë i vetmi që do të marrë vendime, por vendimet do të merren brenda ekipit kosovar, të cilët caktojnë se cili është vendimi, dhe kjo është e mirë pasi nuk është vetëm Thaçi ai që do të vendoste, prandaj duhet të jenë edhe partitë opozitare pjesë e ekipit të dialogut”, shprehet Greiçevci.
Greiçevci shton se epilogu final ndërmjet Kosovës dhe Serbisë siç projektohet nga ndërkombëtaret përjashtohet mundësia e shkëmbimit të territoreve.