Serbia nuk ka dhënë sinjale se do të ndryshojë qasje kur vjen puna te zbulimi i varrezave masive me shqiptarët e vrarë në luftën e fundit në Kosovë, as pas nënshkrimit të marrëveshjes së zotimeve në Shtëpinë e Bardhë.
Madje, ministri i Jashtëm, Ivica Daçiq, ka folur me tone kërcënuese ndaj serbëve që tregojnë vendndodhjen e shqiptarëve të vrarë. Në një intervistë televizive, ish-zëdhënësi i Millosheviqit ka thënë se nuk ka çfarë t’u bëjë serbëve që po tregojnë ku janë të varrosur shqiptarët gjatë luftës.
“Çfarë të bëjmë ne me serbët që u tregojnë shqiptarëve e kroatëve, e flasin lloj-lloj budallallëqesh të ndryshme duke u treguar se ku j anë varrosur shqiptarët në gjithë Serbinë”, ka deklaruar Daçiqi për mediat serbe.
Kjo është në kundërshtim me marrëveshjen e zotimeve të nënshkruar në Washington më 4 shtator. Sipas pikës 12 të marrëveshjes, të dyja palët zotohen t’i përshpejtojnë përpjekjet në identifikimin e të zhdukurve. “Të dyja palët zotohen t’i përshpejtojnë përpjekjet që t’i lokalizojnë dhe identifikojnë mbetjet e personave të humbur.
Të dyja palët angazhohen që të identifikojnë dhe implementojnë zgjidhje të gjata dhe të qëndrueshme për refugjatët dhe personat e zhvendosur brenda vendit. Të dyja palët angazhohen që ta përcaktojnë një pikë kontakti, që do t’i udhëheqë këto përpjekje brenda ministrive të tyre respektive dhe do t’i koordinojë këto përpjekje mes Beogradit dhe Prishtinës, si dhe do t’i përditësojë të dhënat për numrin e rasteve të zgjidhura dhe ato që janë në proces, çdo vit”, thotë pika e marrëveshjes. Në lidhje me këto deklarata, KOHA ka pyetur në kabinetin e emisarit amerikan për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, i cili ndërmjetësoi marrëveshjen, por ka munguar përgjigja.
Shala: As Serbia, as Kosova nuk kanë interes për zbatimin e marrëveshjes
Sipas analistit Krenar Shala, shpejtësia me të cilën u arrit Marrëveshja e 4 shtatorit, me qëllimin që të prezantohet si triumf diplomatik i presidentit Trump gjatë fushatës parazgjedhore në SHBA, e bën atë vështirë të zbatueshme.
“Marrëveshja rëndom do të hasë në vështirësi të shumta në zbatim dhe shembulli ku ministri serb thotë se nuk e di cilët serbë po bashkëpunojnë me shqiptarët për identifikimin e lokacioneve të atyre që janë vrarë tregon më së miri që Serbia nuk ka qëllim të zbatojë marrëveshjen”, ka thënë analisti Shala. “Por, as Kosova nuk ka shumë interes që ta zbatojë marrëveshjen sepse po vërehet qartë se ajo është nënshkruar për fushatën e presidentit Trump, edhe pse mendoj se disa pika të saj megjithatë do të zbatohen”.