Forumi Ekonomik i Grave (FEF) ka organizuar diskutimin për Ligjin e Punës, me fokus në dispozitat të cilat rregullojnë lejen e lehonisë dhe lejen prindërore për të punësuarit. Aty u tha se shumë gra u diskriminuan që nga intervistat për punë duke u pyetur për planifikimin familjar, e deri te ndërprerja e kontratës së punës, raporton Ekonomia Online.
Besa Luzha nga fondacioni “Friedrich Ebert”, ndonëse tha se ka pasur një tentim për të lehtësuar qasjen e gruas në tregun e punës, kjo nuk ka ndodhur.
Ajo tha se ka pritur më shumë përkrahje nga Qeveria Kurti.
“Ka pasur përpjekje prej Qeverive për me mundësu një qasje më të mirë të gruas në tregun e punës. Mirëpo rrethanat kanë sjellë një status-quo ndaj kësaj çështje. Këto organizata edhe vitin e kaluar kanë punuar në këtë drejtim. Gjatë vitit të parë të Qeverisjes Kurti kemi pritur një përkrahje në këtë drejtim”, tha ajo.
Saxhide Mustafa nga Forumi Ekonomik i Grave, tha se një nga barrierat që gratë e kanë është diskriminimi dhe mungesa e një ligji të favorshëm.
“Që nga viti 2017 u pa që njëra nga barrierat që gratë janë jashtë vendit të punës diskriminoheshin për ligj të pafavorshëm për leje të lehonisë dhe leje prindërore. Shumë gra u diskriminuan që nga intervistat për punë duke u pyetur për planifikimin familjar. E shumicës iu ndërprenë kontratat e punës. Balancimi i jetës dhe punës është i garantuar edhe me ligjet e Bashkësisë Familjare”, tha ajo.
Kryetarja e Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Fatmire Kollçaku kërkoi që para se të flitet për lejen prindërore, duhet të flitet për mirëqenien e fëmijës.
“Ne gjithmonë duhet të flasim për mirëqenien e fëmijës dhe këtu është qëndrimi. Ne investojmë në shëndetin dhe mirëqenien e një fëmije, kur flasim për këtë temë gjithmonë duhet të flasim në këtë pikënisje. Ne kemi qenë edhe si deputetë shumë e zëshme që të bëhet ndarja e lehonisë kinse me një ligj të veçantë. Por kjo duhet të rregullohet me ligjin e punës”, tha ajo.
Adelina Tërrshani nga Rrjeti i Grave të Kosovës, tha se propozimi i Rrjetit të Grave ishte që 6 muajt e parë duhet të konsiderohen leje të lehonisë nga nënat dhe 1 muaj nga baballarët. 3 muaj të tjerë të paguhen nga punëdhënësi, një muaj babai dhe 2 muaj nëna. Dhe 3 muaj pa pagesë të dy prindërit. (dy nëna dhe një baba)
“Ligji i cili është në fuqi prej vitit 2012 në fakt tërthorazi lejon diskriminimin e grave. Lejon që punëdhënësit t’i diskriminojnë gratë qysh në intervista punë. Lejon që kontratat me u ndërpre qysh kur e shfrytëzojnë lejen e lehonisë. Shumë herë ka presion prej punëdhënësve me u kthy para se leja të ju përfundojë. Sa i përket pushimit të atësisë herë dy e herë tre ditë ju paguhen baballarëve për pushim të atësisë. Dhe kjo është e pakta se nuk ju takon leje e prindrimit burrave me këtë ligj”, tha ajo.
Tutje tha se në një studim të bërë nga D4D, ka rezultuar se 70 për qind e burrave mendojnë që pushimi m’u nda barabartë.