Për shkak të mungesës së prokurorit të rastit, ka dështuar të mbahet shqyrtimi fillestar ndaj të akuzuarit për korrupsion Avni Biqkaj.
Në fillim të shqyrtimit gjyqësor, gjyqtari Hamdi Ibrahmi konstatoi mungesën e prokurorit të shtetit, prokurori në këtë çështje penale është Feti Tunuzliu.
“Gjykata konstaton se në seancën e sotme prezantojnë i pandehuri, përfaqësuesi i palës së dëmtuar, Arianit Koci, i dëmtuari Jakup Tërnava ndërsa mungon prokurori i shtetit për të cilin ka provë se është ftuar në mënyrë të rregullt dhe mungesën nuk e ka arsyetuar “, tha Ibrahimi.
Avni Biqkaj akuzohet se e ka keqpërdorë pozitën zyrtare duke i tejkaluar kompetencat me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore si menaxher i operativës në institucionin mikrofinancniar “KosInvest”.
Aktakuza ndaj Avni Biqkaj është ngritur më 26 prill 2017, dhe që nga ajo kohë nuk është mbajtur akoma shqyrtimi fillestar i cili në bazë të ligjit duhet të mbahet 30 ditë nga momenti i ngritjes së aktakuzës.
Gjykata njoftoi se mbajtja e shqyrtimit fillestar deri sot ka qenë e pamundur pasi nuk kishte arritur ta gjejë të akuzuarin.