Mungesa e energjisë elektrike dhe konfirmimi i rasteve të para me “Omicron”, janë ndër çështjet kryesore që po i shqetësojnë qytetarët këtë fundvit.
Për të parën fajtorë e lënë Qeverinë Kurti ndërkaq për variantin e ri thonë se numri është më i lart sesa i detektuar nga autoritetet e shëndetësisë në Kosovë, raporton Ekonomia Online.
Por ka qytetarë që shprehin skepticizëm për ekzistencën e virusit.
Mustafë Bardhi, mërgimtar nga Belgjika, beson se varianti “Omicron” është një grip i zakonshëm.
“Në realitet nuk e besoj siç po e parashikojnë. Unë e kam dëgjuar se kjo sëmundje po vjen nga Afrika, ndërsa ministri i atjeshëm thotë se asnjë rast nuk e kanë. Këtu është edhe një çështje politike që mundohen që një shtet ta dëmtojnë ekonomikisht”.
“Kjo sëmundje ka ndodh çdo herë, gripet kanë qenë çdo herë. Unë nuk e kam pasë, por shoqja dhe djali po, dhe ky është një grip i zakonshëm”
Megjithatë, ai tregon se është i vaksinuar në Belgjikë me dy dozat.
IKSHPK njoftoi dje për herë të parë për identifikimin e nëntë rasteve të para me “Omicron”, për të cilit thuhet se ka përhapjen më të lartë nga variantet e deritanishme.
Naim Ramizi, nga Prishtina, thotë se numri aktual i këtij varianti nuk është i saktë, teksa thotë se kjo po bëhet për shkak të mungesës së testeve.
“Unë mendoj se ka raste shumë më shumë, duke pasur parasysh se muajin e fundit ka pasur një grip që i ka përfshirë një pjesë të madhe të qytetarëve dhe nuk kanë ditur ta japin një version as mjekësia se çka është ky grip”.
“Unë mendoj që në mungesë të testit për Omricon, nuk kanë mundur ta vërtetojnë se cili grip ka qenë ky, dhe duke pasur parasysh që nuk janë bërë teste, mendoj se numri me këtë variant është shumë i madh”, tha ai.
Ndërsa mungesën e energjisë, Ramizi gishtin e drejton ka Qeveria Kurti. Ai për Ekonomia Online thotë se kjo po bëhet për shkak të paaftësisë së kësaj qeverie për ta nxjerrë vendin nga kriza.
Madje ai thotë se kjo qeveri i ka gjetur bizneset duke gjakosur, teksa shton se Kurti u ka dhënë “grushtin e fundit”.
“Mendoj se problemi me energji elektrike nuk ka të bëjë me qeveritë e kaluara e as me krizën globale por është paaftësia e kësaj qeverie për ta menaxhuar këtë situatë. Kur kjo Qeveri ka ardhur nuk e ka gjet duke gjakosur Kosovën, por i ka gjetur bizneset të dërrmuara nga pandemia dhe ua ka dhënë grushtin e fundit fatal me punën e energjisë elektrike”.
“Pandemia i ka shkatërruar shumë bizneset, kryesisht gastronominë dhe kjo qeveri e ky kryeministër tërë energjinë e shfrytëzon duke e kërkuar fajtorin e jo duke e gjetur zgjidhje, nuk ka çka pritet tjetër. Ky nuk është i aftë me Qeverisë, ky nuk din dhe nuk duhet të pritet të bëjë diçka tjetër prej tij”.
Mungesë të energjisë elektrike, Ramizi thotë se nuk po ka në veri të vendit, duke shtuar fundi i kësaj problematike do të shihet.
“Me aq sa kam unë parë kanë shumë vështirësi të mëdha. Fundin do ta shohim. Kosova ka problem energjinë, dhe nëse kemi problem me energjinë, përse veriu nuk e ka këtë problem me energjinë”.
“Ne jemi duke e parë që reduktimet në veri nuk po ndodhin, pra kjo është një paaftësi e kësaj Qeverie për ta menaxhuar këtë situatë. Jo nuk kam frikë, çka vjen prej Zotit mirë se vjen, jam edhe i vaksinuar”, u shpreh ai.