Në Komunën e Prishtinës, prej vitesh nuk është bërë vlerësimi i performancës së drejtorëve të shkollave, edhe pse udhëzimi administrativ e parasheh një proces të tillë. Kjo u bë e ditur për Ekonomia Online nga drejtori i i shkollës fillore “Emin Duraku” në Prishtinë, Visar Osmani.
Sipas tij, kjo mungesë e monitorimit po krijon një lloj komoditeti te drejtorët, të cilët, pasi marrin mandatin katërvjeçar, nuk i nënshtrohen ndonjë vlerësimi të rregullt mbi punën e tyre.
Osmani ka ngritur këtë shqetësim duke theksuar se vlerësimi i performancës është i domosdoshëm për të siguruar një menaxhim më të mirë të institucioneve arsimore.
“Siç e dimë, udhëzimi i fundit administrativ parasheh kriteret për përzgjedhje të drejtorëve dhe zëvendësdrejtorëve. Parashihet që pas një viti secilit drejtor t’i bëhet vlerësimi i përformancës apo çka është punuar brenda një viti. Në Prishtinë ka qenë praktikë edhe më herët, por fatkeqësisht nuk ka ndodhur. Është mirë që të bëhet vlerësimi i përformancës së drejtorëve, jo një vit, po çdo vit. Kështu që të mos krijohet njëfarë lloj komoditeti te drejtorët që vjen mandati e janë katër vjet dhe thuajse konsiderohen të paprekshëm. Por, megjithatë duke filluar nga shkolla jonë, nga unë personalisht, kushdo që vjen, qoftë vlerësim i jashtëm apo i brendshëm është i mirëseardhur, sepse edhe ne mund të ngecim në realizim të objektivave që i kemi përpara dhe ato vlerësime që bëhen ato janë njëfarë lloj imputi që prioritete që i kemi të realizohen dhe të mos ketë stagnim të punës në menagjim të shkollës”, ka thënë ai.
Osmani ka kujtuar se më parë, drejtorët kishin një periudhë prove njëvjeçare, por kohët e fundit kjo praktikë nuk është zbatuar, edhe pse është një mekanizëm i rëndësishëm për garantimin e cilësisë në arsim.
“Vitet e fundit nuk është bërë në komunë të Prishtinës, por është mirë që të bëhet. Më herët, ne i kemi pasur dy kontrata kur jemi zgjedhur, një ka qenë njëvjeçare si punë provuese dhe tjetra ka qenë tri që i bie katër vjet mandati. Kohët e fundit nuk është bërë, edhe pse është mirë duke u bazuar në legjislacionin në fuqi që të bëhet një vlerësim i punës njëvjeçare të drejtorëve që vijnë në detyrë. Kjo kishte me qenë mirë edhe për ne, edhe për ata që pretendojnë të vijnë në detyrë, në mënyrë që të dihet që dikush edhe punën tonë e përcjell dhe e monitoron”, ka thënë ai.
Mungesa e vlerësimit të drejtuesve shkollorë, sipas Osmanit, po ndikon edhe në cilësinë e menaxhimit të shkollave. Ai thekson se disa institucione janë bërë burim i problemeve të përditshme për shkak të keqmenaxhimit.
Ai ka përmendur edhe se disa shkolla arrijnë rezultate të shkëlqyera në periudha të shkurtra kohore, ndërsa të tjera përballen me probleme që ndikojnë edhe tek komuniteti shkollor më gjerë.
Sipas tij, një sistem i mirëfilltë vlerësimi do të ndihmonte në identifikimin dhe adresimin e problemeve në menaxhimin e shkollave, duke përmirësuar cilësinë e arsimit në nivel komunal.
“Varësisht prej shkollave, ne kemi shkolla që janë burime të problemeve në baza ditore. Kemi shkolla që policia çdo ditë rri në shkollë, do të thotë keqmenagjimi e çorienton dhe e dezorganizon punën e institucioneve, është një adresë varësisht prej lidershipit se kush e merr udhëheqjen e shkollës. Ne kemi shkolla që kanë rezultatet të mira në periudha të shkurtra, duke u nisur nga shkolla jonë, pothuajse të parët në nivel vendi. Ideja është që po kemi edhe shkolla që janë burim i problemeve edhe ato probleme mund të barten shumë lehtë edhe në komunitetin e shkollave të tjera”, ka thënë Osmani.