Vetëm njëra prej tri terapive për trajtimin e pacientëve me Covid-19 gjendet në stoqet e barnatoreve të QKUK-së.
Aktualisht QKUK-ja ka në dispozicion hidroksiklorokinën, e cila rekomandohet për trajtim tek pacientët me Covid-19. Megjithatë, ky institucion nuk ka bërë të ditur se sa është sasia e këtij bari në stoqe, shkruan KOHA.
“Ju njoftojmë se Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës është i furnizuar me sasi të mjaftueshme me Hydroxychloroquine”, është thënë në këtë përgjigje.
Ndërsa, Shërbimi Klinik, Spitalor e Universitar i Kosovës (SHKSUK) pret që të furnizohet me dy barnat e tjera antivirale, përkatësisht Remdesevir dhe Favipiravir.
“Sa u përket produkteve të tjera, presim së shpejti, pas aprovimit të ministrit të Shëndetësisë të propozimit të Grupit profesional të Agjencisë së Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale për zbatimin e masave të veçanta që AKPPM-ja të lëshojë licencë importi pa autorizim të marketingut për produktet për përdorim tek pacientët me Covid-19 si: Remdesivir, Favipiravir, por edhe Hydroxychloroquine”.
Infektologët thonë se kanë parë efekte pozitive tek pacientët e trajtuar deri më tani me Hidroksiklorokinën.
“Hidroksiklorokinën e kemi në dispozicion dhe e kemi aplikuar prej fillimit. Atë e kemi përdorur prej marsit tek rastet indikative pothuajse tek secili pacientë. Te trajtimi i pacientëve nuk është me rëndësi vetëm dhënia e barit, por edhe koha e dhënies. Gjetja e kohës më të favorshme është përgjegjësi dhe shkathtësi e mjekut klinik, i cili duke bërë vrojtime klinike dhe shqyrtime të parametrave të gjejë kohën më të përshtatshme. Dhënia e këtyre barnave në kohën e duhur dhe dozimin e duhur dhe monitorimin i tyre dhe duke evituar efektet anësore të tyre është treguar edhe tek pacientët me efekte të mira”, thotë infektologu Sali Ahmeti.
Ndërsa, mungesa e Favipiravirit dhe Remdesevirit ka detyruar pacientët që t’i sigurojnë ato përmes rrugëve të tjera.
“Kemi sasi të mjaftueshme të Hidroksiklorokinës, mirëpo Favipiravir dhe Remdesevir kemi dhënë tek pacientët që e kanë siguruar përmes rrugëve private. Por, aprovimi i sigurimit të këtyre barnave nga ana e MSH-së është veprim i mirë, i cili pa diskutim do të ndikojë në rritjen e cilësisë së shërbimeve shëndetësorë”, thotë Ahmeti